Skandali i asfaltit në Gjilan që u shtrua e u hoq pas disa orëve, Alban Hyseni “mbyllet” në zyrë

Se Kosova është vend i çudirave është dëshmuar sa herë.
“Vakia” e radhës ka ndodhur në komunën e Alban Hysenit.
Një pjesë e rrugës “Adem Jashari” në Gjilan ditë më parë u shtrua në asfalt, por vetëm pak orë më pas është hequr, kjo pasi nuk i plotësonte kushtet e nevojshme.
Indeksonline për të informuar më drejt qytetarët ka shkuar në këtë komunë, mirëpo i njëjti edhe pas rreth një ore pritje ka refuzuar të përgjigjet rreth kësaj çështje.
Madje, i njëjti sipas punonjësve të komunës parapëlqen të japë përgjigje me email, marrë parasysh që rruga është rregulluar.
Tenderi i kësaj rruge ka kushtuar hic më pak se 248 mijë euro.
Nga ana tjetër, drejtori i shërbimeve në Gjilan, Kushtrim Ibrahimi, ka reaguar me një status duke thënë se e kanë larguar asfaltin pasi nuk i plotëson kriteret e kërkuara.
“Pas inspektimeve në teren dhe vizitave të rregullta së bashku me menaxherin e kontratës kemi hasur në disa vërejtje në cilësinë e një pjese të trotuarit ku është punuar, së bashku me menaxherin e kontratës dhe operatorit ekonomik, kemi kërkuar që të largohet ajo pjesë e cila nuk i plotëson kriteret e kërkuar të asfaltit sipas kontratës dhe të intervenohet menjëherë me përmirësimin e cilësisë”, ka thënë ai.
Kurse, qytetarët kanë ankesat e tyre lidhur me këtë skandal.
Megjithatë, rrugë është shtruar në asfalt dhe tani për tani duket mirë./IndeksOnline/