75 Mall Live Search
12:24 / E Premte, 05 Dhjetor 2025 / H F

Skandali i basteve në futbollin turk, arrestohet kapiteni i Fenerbahces dhe mbrojtësi i Galatasarayt! Luajtën ekipin e tyre në skedina

TURQI – Drejtësia turke nisi një seri të re ndalimesh më 5 dhjetor si pjesë e një hetimi në zgjerim mbi bastet e paligjshme sportive dhe dyshimet për manipulim ndeshjesh në të gjithë sistemin profesional të futbollit të vendit, duke ndaluar dhjetëra futbollistë, drejtues klubesh, arbitra dhe figura të njohura sportive.

Zyra e Kryeprokurorit Publik në Stamboll tha se operacionet u kryen njëkohësisht në 16 provinca, me 46 të dyshuar të shënjestruar dhe 35 të arrestuar në aksionin e mëngjesit të sotëm.

Midis të të ndaluarve ishte ish-arbitri dhe komentatori i shquar televiziv Ahmet Çakar, pasi transaksione të dyshimta financiare u zbuluan pas një shqyrtimi të llogarive të tij bankare.

Të ndaluar ishin lojtarë nga klubet kryesore të Turqisë, kapiteni Mert Hakan Yandas i Fenerbahçes dhe Metehan Baltaci i Galatasarayt.

Kapiteni i Fenerbahçes, Mert Hakan Yandaş

Skandali shpërtheu për herë të parë në tetor, kur presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), İbrahim Hacıosmanoğlu, zbuloi publikisht se 371 gjyqtarë kishin llogari bastesh dhe 152 prej tyre kishin vendosur baste në mënyrë aktive.

Hetimi shpejt u zgjerua për të përfshirë lojtarë, administratorë, komentatorë televizivë dhe të tjerë në këtë sport. Muajin e kaluar më shumë se 100 lojtarë profesionistë, përfshirë 25 nga liga e nivelit të lartë, u pezulluan përkohësisht.

Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit lëshoi urdhër-arreste për 46 të dyshuar të premten. Zyra tha të premten në mëngjes se 35 prej tyre ishin ndaluar tashmë, përfshirë kryetarin e Ankaraspor, nënkryetarin e Antalyaspor dhe ish-kryetarin e Adana Demirspor.

Mbrojtësi i Galatasarayt, Metehan Baltacı

Ish-gjyqtari dhe komentatori Ahmet Cakar dhe gjyqtari aktual Zorbay Kucuk u arrestuan gjithashtu, raportoi agjencia e lajmeve DHA. Në një deklaratë, prokurorët thanë se Baltaci, i cili më parë ka luajtur për ekipet kombëtare të të rinjve, ishte zbuluar se kishte vendosur baste në ndeshjet e ekipit të tij. Yandas dyshohet se i kishte vendosur bastet e tij përmes dikujt tjetër.

Shtatë persona, përfshirë Cakar dhe Kucuk, u arrestuan pasi në llogaritë e tyre bankare u gjetën “transaksione të dyshimta financiare”. Të gjithë të dyshuarit u ndaluan sipas një ligji për të parandaluar çrregullimet në sport, shtoi deklarata.

Ish-gjyqtari Ahmet Çakar gjatë një interviste televizive

Ligji prek manipulimin e garave sportive dhe mbart një dënim prej një deri në tre vjet burgim, i cili mund të rritet nëse vepra penale lidhet me tregjet e basteve, përfshin zyrtarë ose ndikon në ligat profesionale.

Sipas rregulloreve botërore dhe evropiane të futbollit, lojtarëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të klubeve u ndalohet të vënë baste në ndeshje të çdo niveli. Federata Turke e Futbollit është zotuar ta pastrojë sportin, me presidentin Ibrahim Haciosmanoglu, që tha se do ta mbronte atë nga “skandalet, prishja dhe marrëdhëniet e korruptuara”.