Skandali i kontratës së dyfishtë në Spitalin e Gjilanit: Ligji i shkelur dhe institucionet që heshtin

Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka nënshkruar një kontratë të re për shërbime pastrimi, ndërkohë që kishte një kontratë ekzistuese në fuqi, një veprim në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP). Përkundër shkeljeve të qarta, asnjë institucion nuk ka marrë masa konkrete deri më sot.
Në nëntor të vitit 2023, Spitali i Gjilanit si autoritet kontraktues, lidhi një kontratë të re për shërbime pastrimi, pavarësisht se kontrata ekzistuese ishte ende në fuqi. Përkundër kësaj shkelje, as Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), që ka autoritetin të revokojë licenca, dhe as Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), që mund të rekomandojë masa të tilla, nuk ndërmorën asnjë veprim ndaj zyrtarit përgjegjës të prokurimit. Prokuroria ka deklaruar se ka ngritur aktakuzë lidhur me rastin, por Gjykata nuk ka ofruar asnjë informacion mbi ecurinë e procesit gjyqësor. Ndërkohë, autoriteti kontraktues ka refuzuar të ofrojë qasje të plotë në dokumentet publike, duke thelluar dyshimet për mungesë transparencë dhe llogaridhënie për këtë kontratë publike.
Më 2 nëntor 2023, Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit publikoi në platformën zyrtare të prokurimit publik njoftimin për dhënien e kontratës. Sipas njoftimit, kompania fituese ishte “Mburoya” Sh.P.K., me një vlerë kontrate prej 29,638.85 euro në muaj, apo 118,555.40 euro për një periudhë katërmujore. Ky aktivitet u zhvillua përmes një procedure të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, e njohur ndryshe si kontrata një burimore. Sipas nenit 35 të LPP-së, procedura e negociuar pa publikim mund të përdoret vetëm në raste të veçanta, si: urgjencë ekstreme e paparashikueshme, mungesë konkurrence për arsye teknike, shërbime/punë që vetëm një operator mund t’i kryejë për shkak të të drejtave ekskluzive, apo kur një kontratë shtesë është e domosdoshme për vazhdimësi me të njëjtin operator. Në rastin konkret, asnjë nga këto kushte nuk u përmbush.
Për më tepër, spitali kishte ende një kontratë valide me operatorin ekonomik “Aroma Plus Sh.P.K”., e nënshkruar më 10 mars 2023. Kjo kontratë ishte e vlefshme deri në lidhjen e një kontrate të re përmes një procedure të rregullt, gjë që nuk kishte ndodhur.
Duke qenë në dijeni të kësaj situate, më 2 nëntor 2023, Departamenti i Monitorimit i KRPP-së kishte dërguar një rekomandim ku saktësohej se autoriteti kontraktues nuk kishte të drejtë të lidhte kontratë të re përderisa kontrata ekzistuese ishte ende në fuqi. Megjithatë, rekomandimi u injorua nga zyra e prokurimit, që vazhdoi me nënshkrimin e kontratës.
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka refuzuar kërkesën për qasje në dokumente publike përmes së cilës janë kërkuar dokumentet relevante për kontratën e re të nënshkruara me operatorin “Mburoya Sh.P.K”.
Si arsyetim, autoriteti është thirrur në nenin 17 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, duke deklaruar se publikimi i dokumenteve mund të dëmtojë procesin gjyqësor, pasi rasti është në shqyrtim nga organet e drejtësisë, si dhe duke u bazuar në një deklaratë të operatorit për ruajtje të sekretit afarist. Ky refuzim ngre shqetësime serioze për mungesë transparence, sidomos kur bëhet fjalë për një kontratë publike të kontestuar ligjërisht dhe me pasoja të drejtpërdrejta financiare për buxhetin.
Mirëpo sipas nenit 4, paragrafi 1.9 i Ligjit për Prokurimin Publik (nr. 04/L-042), informacionet që lidhen me kontratat publike, përfshirë vlerën, kohëzgjatjen dhe procedurën e ndjekur, nuk mund të konsiderohen sekret afarist. Këto janë informacione të natyrës publike që ndikojnë në transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike. Po ashtu, Ligji për Qasje në Dokumente Publike parashikon në nenin 6 se kufizimi i qasjes në dokumente duhet të jetë i domosdoshëm dhe proporcional, dhe nuk mund të përdoret për të fshehur keqpërdorime apo shkelje të ligjit.
Zyra e prokurimit e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit refuzoi të përgjigjet në pyetjen kryesore: “A është respektuar rekomandimi i KRPP-së i datës 2 nëntor 2023 që ndalonte lidhjen e kontratës së re, përderisa kontrata ekzistuese me ‘Aroma Plus’ ishte ende në fuqi?” Kjo mungesë përgjigjeje lë të hapur dyshimet për injorimin e një rekomandimi nga autoriteti rregullativ për prokurim publik.
Në anën tjetër, kompania “Aroma Plus” kishte parashtruar një ankesë në OShP duke kundërshtuar vendimin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit për lidhjen e kontratës me operatorin “Mburoya” Sh.P.K. Pas shqyrtimit të rastit, më 1 shkurt 2024, OShP e aprovoi ankesën si të bazuar dhe me vendim të formës së prerë shfuqizoi kontratën e re. OShP konstatoi se kontrata ishte lidhur në kundërshtim me nenin 35 të LPP-së, pasi AK kishte përdorur në mënyrë të paarsyeshme procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Vendimi i OShP-së thekson qartë se nuk ishin përmbushur kriteret ligjore për aplikimin e kësaj procedure të jashtëzakonshme, pasi spitali kishte ende në fuqi një kontratë valide me “Aroma Plus”, të lidhur më 10 mars 2023. OShP konstatoi gjithashtu se AK kishte vepruar në kundërshtim edhe me nenin 112 të LPP-së, pasi kishte vazhduar me nënshkrimin e kontratës së re edhe pse kishte marrë ankesë formale dhe nuk kishte pezulluar procedurën, siç e kërkon ligji.
Me gjithë këtë, autoriteti kontraktues jo vetëm që injoroi rekomandimin e KRPP-së, por edhe vazhdoi me një procedurë të jashtëligjshme, duke lidhur kontratë me një çmim dukshëm më të lartë. Vendimi i OShP-së jo vetëm që konfirmon shkeljen e ligjit, por edhe thekson dështimin për të garantuar konkurrencë dhe vlerë për paranë publike – dy parime bazë të prokurimit të drejtë dhe transparent. Vendimet e OShP-së, sipas nenit 105 të LPP-së, janë detyruese për autoritetin kontraktues. Po ashtu, vlen të theksohet se autoriteti kontraktues kishte vepruar në kundërshtim me nenin 112 të LPP-së, duke nënshkruar kontratën me “Mburoya” në të njëjtën ditë kur ishte paraqitur një ankesë zyrtare në OSHP. Sipas nenit 112 të LPP-së, nënshkrimi i një kontrate ndërkohë që një ankesë është aktive që nënkupton se procedura duhet të pezullohet në tërësi, përbën një shkelje të rëndë.
Megjithatë, edhe pse OShP kishte mundësinë ligjore t’i rekomandonte KRPP-së revokimin e certifikatës profesionale të zyrtarit të prokurimit, nuk e bëri një gjë të tillë. Në një përgjigje zyrtare, OShP-ja e ka arsyetuar këtë mosveprim me faktin se ky hap do të duhej të ndërmerrej nga KRPP, e cila kishte monitoruar këtë aktivitet dhe kishte evidentuar shkeljet. OShP deklaroi se nuk ka kompetenca të ndërhyjë në kompetencat ligjore të KRPP-së, pasi ligji ka përcaktuar autorizimet ligjore për gjetjet e secilit autoritet publik, KRPP, OShP dhe autoritetet kontraktuese. Megithatë, sipas nenit 91 të Rregullores së Prokurimit Publik, kompetencë për të iniciuar procedurë për revokimin e certifikatës profesionale të zyrtarëve të prokurimit kanë si KRPP-ja, ashtu edhe OShP-ja, varësisht nga rasti. Në këtë rast konkret, ku një vendim i OShP-së nuk është zbatuar nga autoriteti kontraktues – gjë që konsiderohet shkelje e rëndë – OShP kishte të drejtën ligjore dhe përgjegjësinë të inicioi vetë procedurën për revokim të licencës. Prandaj, pohimi se kjo i takonte vetëm KRPP-së është i pasaktë dhe jo në përputhje me rregulloren në fuqi.
Një aspekt tjetër shqetësues lidhet me anën financiare të kësaj kontrate. Shërbimi i ofruar nga “Mburoya” kushton 29,638.85 euro në muaj, që është 7,688.40 euro, ose rreth 35% më shumë sesa kontrata ekzistuese me “Aroma Plus”, e cila kishte vlerën 21,950.45 euro. Pra, për të njëjtin shërbim, autoriteti ka paguar dukshëm më shumë, pa ndonjë arsyetim të qartë ligjor apo ekonomik. Kjo bie ndesh drejtpërdrejt me nenin 1 të LPP-së, i cili përcakton se një nga qëllimet kryesore të ligjit është përdorimi ekonomik, efikas dhe efektiv i fondeve publike. Në këtë rast, jo vetëm që është anashkaluar një kontratë ekzistuese më e lirë, por është preferuar një kontratë më e kushtueshme për buxhetin publik, pa ndjekur procedurat e rregullta dhe pa asnjë analizë të dokumentuar të kostos ose nevojës për ndryshim.
Përveç këtyre, më 14 qershor 2025, një kërkesë zyrtare i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Gjilan për të mësuar nëse ishte në dijeni të këtij rasti dhe të shkeljeve të konstatuara, nëse ishte paraqitur ndonjë kallëzim penal ndaj zyrtarit përgjegjës për dyshime mbi keqpërdorimin e pozitës zyrtare apo mashtrim në prokurim publik, dhe nëse jo, a planifikonte të ndërmerrte hapa në bazë të dokumenteve tashmë publike. Më 24 qershor, Prokuroria Themelore në Gjilan u përgjigj se rasti ishte regjistruar dhe ndodhej në fazë hetimi. Megjithatë, një ditë më pas, më 25 qershor, Prokuroria Themelore e Gjilanit dërgoi një përgjigje tjetër, duke deklaruar se për rastin tashmë po zhvillohej një proces gjyqësor. Sipas kësaj përgjigjeje, prokuroria kishte ngritur aktakuzë më 27.06.2024, sipas shifrës PP.I.nr.4/2024, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe se kjo lëndë është në proces në gjykatë. Për të sqaruar këtë kontradiktë dhe për të mësuar se ku ndodhet ky proces, është kërkuar zyrtarisht informacion edhe nga Gjykata Themelore e Gjilanit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk është pranuar asnjë përgjigje.
Ky rast tregon jo vetëm dështimin e autoritetit kontraktues në respektimin e ligjit, por edhe një mungesë serioze të përgjegjësisë institucionale nga ana e organeve që kanë për detyrë mbikëqyrjen dhe ndëshkimin e shkeljeve. Heshtja e KRPP-së dhe mungesa e veprimit konkret nga OShP japin sinjalin se zyrtarët publikë mund të shkelin ligjin pa pasoja. Mosveprimi i institucioneve kompetente po bën që raste të tilla të zvarriten në procese gjyqësore të gjata.
Deklaratë mohuese:
Ky artikull është publikuar në kuadër të projektit “Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe efiçiencës në shpenzimin e parasë publike përmes prokurimit publik në Kosovë” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ apo të Bashkimit Evropian.