75 Mall Live Search
20:43 / E Martë, 08 Janar 2019 / indeksADMonline

Skandali i VV-së: I suspenduari për keqpërdorime financiare njollos kompaninë e njohur kosovare

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë edhe sot një përpjekje për ta ndërlidhur Shpend Ahmetin, kryetarin e Prishtinës, me kompaninë vendore “Devolli Group”.

Mirëpo, veprimi i tyre është skandaloz. Partia ia ka besuar dorëzimin e kallëzimit penal kundër Ahmetit një anëtari të saj, i cili dyshohet për keqpërdorime financiare.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti dyshohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tentim për përvetësim të mjeteve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo dëshmohet në një vendim të Komisionit Disiplinor të Lëvizjes Vetëvendosje, disa vite më parë. Në të njëjtën mbledhje, Komisioni Disiplinor kishte vendosur për shkarkimin e Valdrin Ahmetit nga pozicioni i Drejtuesit të Sekretariatit për Logjistikë dhe IT në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Valdrin Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozicionet drejtuese dhe të deleguara brenda organeve vendimmarrëse të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilin e ka siguruar Insajderi.

Përmes kallëzimit penal të cilin aktivisti Valdrin Ahmeti e deponoi sot në Prokurorinë e Shtetit kundër kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Vetëvendosje shpreh dyshimet për keqpërdorime në vlerë prej 530 mijë eurove në tenderët për furnizim me qumësht nga ana e Komunës së Prishtinës.

Përmes këtij kallëzimi penal, aktivisti i dyshuar për keqpërdorime financiare tenton të njollos kryetarin e Prishtinës dhe kompaninë e njohur kosovare “Vita”.

“Kallëzimin penal e paraqesim për keqpërdorim të mbi 530 mijë eurove në tenderin për furnizim me qumësht për klasat 1 deri në 5 në komunën e Prishtinës”, u shpreh Valdrin Ahmeti sot, pasi deponoi kallëzimin penal në Prokurori.

Vetëvendosje e akuzon direkt kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, se është i përfshirë në keqpërdorime me tenderët e qumështit.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Socialdemokrate dhe njëherësh i pari i Komunës së Prishtinës u shpreh se Vetëvendosje e deponoi me tendencë kallëzimin penal në ditën e sotme. Ahmeti tha se “Vetëvendosje e gjeti pikërisht sot kur u mbajt takimi me Mogherinin në Bruksel, që të bëjë kallëzime penale”.

Ahmeti po ashtu tregoi se kompania kosovare e qumështit “Vita”, kishte dhënë ofertën me çmimin më të ulët në tender. Oferta e kompanisë “Vita”, siç tha Ahmeti, ishte vetëm 10 cent “që është larg kostos së prodhimit dhe larg ofertave të tjera”.

“Në vitin 2015 duke u bazuar edhe në disa programe në BE filluam të mendojmë për një gotë qumësht në ditë për çdo nxënës. Megjithatë ishte barrë e papërballueshme buxhetore. Sepse me afër 20 mijë nxënës për një vit nevojiteshin rreth 3.6 milion gota qumësht”, u shpreh Ahmeti.

“Në njoftimin për kontratë kishim treguar se kemi vetëm 200 mijë euro, duke shpresuar se dikush do ta sheh edhe si projekt bëmirës edhe si marketing. Dhe ashtu ndodhi. Arritem të marrim çmimin 10 cent që është larg kostos së prodhimit dhe larg ofertave tjera që kishim. Një kompani tregtare ishte ankuar edhe për konkurrence jolojale”, deklaroi ai.

Kryetari i Prishtinës i cilësoi demagogji veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kur pajtohesh me Albinin qumështi në shkolla është socialdemokraci e kur nuk pajtohesh me Albinin qumështi është korrupsion. Kur nuk pajtohesh me Albinin dhënia e aseteve shtetërore për shtetet e tjera është falje e kur ai e flet është strategji e zhvillim i marrëdhënieve me miq”, u shpreh Shpend Ahmeti.