07:51 / E Enjte, 13 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Skandali seksual, Papa largon dy kardinalë nga grupi i këshilltarëve

Papa Françesku ka larguar nga grupi i tij i këshilltarëve të ngushtë, dy kardinalë të goditur nga skandalet e abuzimit seksual, duke përfshirë edhe ministrin e tij të ekonomisë, australianin George Pell.

Pell ka marrë një leje të pacaktuar nga puna e tij si kreu i Sekretariatit për Ekonomi, një nga postet më të fuqishme në Vatikan, për të mbrojtur veten nga ndjekja penale me akuzat për abuzimet seksuale ndaj fëmijëve në Australi.

Zëdhënësi i Vatikanit, Greg Burke tha: “Selia e Shenjtë ka respektin maksimal për gjyqësorin australian. Ne jemi të vetëdijshëm se ekziston një urdhër shtypës (në raportimin e medias mbi procedurat gjyqësore) dhe ne synojmë ta respektojmë atë”.

I pyetur nëse Pelli, 77 vjeç, ishte ende ministër i ekonomisë, Burke pranoi se ai ishte ende në atë post, duke thënë se nuk kishte pasur njoftim për të kundërtën.

Anëtari tjetër që largohet nga i ashtuquajturi C-9, një grup prej nëntë kardinalësh që mblidhet periodikisht me Papën në Romë, është Francisco Javier Errázuriz i Kilit, transmeton tch.

Errázuriz, 85 vjeç, ish-kryepeshkopi i Santiagos, është akuzuar nga të mbijetuarit e abuzimeve në Kili, për diskreditimin e viktimave dhe jo për hetimin e rasteve të tyre, të cilat ai e mohon.

Skandali i abuzimit seksual të Kilit i bëri të gjithë 34 peshkopët e vendit që të japin dorëheqjen e tyre te Papa, që deri më tani ka pranuar vetëm shtatë prej tyre.

Një kardinal i tretë C-9, Laurent Monsengwo Pasinya, 79 vjeç, nga Republika Demokratike e Kongos, gjithashtu është larguar nga grupi, tha Burke në një konferencë për takimin e fundit të C-9, i cili përfundoi të mërkurën.

Burke tha se gjashtë anëtarët e mbetur, nga Italia, Hondurasi, Shtetet e Bashkuara dhe India, do të vazhdojnë të këshillojnë Papën, ndërsa nuk kishte plane të menjëhershme për emërimin e anëtarëve të rinj.