19:31 / E Shtunë, 14 Tetor 2017 / indeksADMonline

Skandali Weinstein dhe një “përleshje” politike

Kur CEO i “Fox News”, i ndjeri Roger Ailes dhe presidenti Bill O’Reilly u shpallën si ngacmues seksualë serialë, liberalët që thërrasin fort pro virtytit, ishin plot indinjatë dhe triumfues, shkruan Alexandra DeSanctis në NationalReview.com.

Tani del se bastionet binjake liberale, të Hollivudit dhe mediave, po injoronin në mënyrë aktive abuzimin monstruoz me gratë, nga njëri prej tyre. Mega-prodhuesi i Hollivudit, Harvey Weinstein, 65 vjeç, u shkarkua këtë javë nga kompania e tij pasi “The New York Times” dhe “The New Yorker” botuan me detaje, akuza për abuzim dhe ngacmime seksuale prej 3 dekadash nga ana e tij, akuza të ngritura nga një mori aktoresh dhe vartësesh të reja, që përfshinin Ashley Judd, Gwyneth Paltrow dhe Angelina Jolie.

Në qarqet liberale ku vërtitej Weinstein, “prirjet e tij të shtrembëruara” ishin një sekret i hapur – por u injoruan. Me sa duket, shumë njerëz në të majtë “vlerësojnë besnikërinë politike, më shumë sesa çmojnë parimin”. Tani Hillary Clinton, Barak Obama dhe demokratë të tjerë po dënojnë me vonesë Weinsteinin, shkruan WeeklyStandard.com në një editorial. Por secili anëtar i establishmentit liberal, nga Uashingtoni në Nju Jork në Hollivud, duhet t’i përgjigjet pyetjes: “Çfarë dinin ata për mikun e tyre Harvey, dhe kur e dinin?”

Na vjen keq, shkruante Benjamin Hart në NYMag.com, por republikanët “kanë kredibilitet më pak se zero për këtë çështje”. Java e kaluar shënoi përvjetorin e parë të kasetës së “Access Hollywood”, në të cilën kandidati presidencial Donald Trump kishte guxuar të mburrej se si i kapte pjesët private të grave, sepse ai ishte “një yll” – një gjë që shumë gra dëshmuan se ai e kish bërë vërtetë. A e dënuan republikanët Trumpin? Disa e bënë, për një ose dy ditë. Por pastaj partia u mblodh rreth kandidatit të saj dhe Trump tani është “njeriu më i fuqishëm mbi tokë.”

“A duan vërtetë republikanët ta luajnë këtë lojë?”, pyet Tina Brown në NYTimes.com. Weinstein sapo është shkarkuar me turp. Çfarë propozojnë ata që të bëjmë,  me ngacmuesin seksual serial në Shtëpinë e Bardhë?”

Nëse duam të emërtojmë dhe turpërojmë grabitqarët seksualë, shkruan Dan McLaughlin në NationalReview.com, le të mos harrojmë “elefantin në dhomë”: një farë William Jefferson Clinton. Gjatë dhe pas ngjitjes së tij në presidencë, Clinton ishte famëkeq si një bredharak pas fundeve të femrave, që u akuzua nga gra të shumta për ngacmime, dhe madje edhe përdhunim. Por feministet dhe establishmenti demokratik vendosën se mund të lënë pas dore sjelljen grabitqare, nga një politikan i pushtetshëm liberal, për hir të “kauzës”. Dhe kur makineria Clinton sulmoi akuzueset e tij, si të çmendura dhe lavire, demokratët gjithashtu heshtën.

Lajmi i mirë, shkruan Rebecca Traister në NYMag.com, është se ditët e heshtjes mund të kenë marrë fund. Fakti që Weinstein, Ailes, O’Reilly dhe Trump u ekspozuan si abuzues brenda një periudhe 1-vjeçare sugjeron se “diçka ka ndryshuar” dhe se ngacmimi dhe abuzimi nuk janë më pika të dobëta të justifikueshme, të burrave të pushtetshëm. Gratë e inkurajuara po gjejnë forcë dhe po flasin.

Le të shpresojmë kështu, shkruan David French në NationalReview.com, por dobësitë njerëzore që mundësuan njerëz të pushtetshëm si Ailes dhe Weinstein që t’ia hidhnin paq, pavarësisht sjelljes së tyre të tmerrshme, nuk do të fshihen lehtësisht. Në rastin e secilit abuzues, kolegët dhe vartësit e tyre injoruan, ose madje edhe bashkëpunuan, për të fshehur atë që dinin, për shkak të ambicieve të tyre personale.

Pse të rrezikonin karrierat e tyre dhe të përballeshin me zemërimin e abuzuesit, për të ndihmuar viktimat e pafuqishme? Kudo ku paraja, fama dhe pushteti vlerësohen mbi të gjitha, “guximi moral mungon”. Pra, bota e banuar nga Weinstein dhe Ailes, Clinton dhe Trump, do të vazhdojë të jetë “bota ku jetojmë”. / Përgatiti: Bota.al