SKANDALOZE: Ambulancat e shtetit furnizohen me oksigjen nëpër kompani të palicensuara (Video)

Autor: Jeton SOPA
Furnizimi me oksigjen nëpër spitale të Kosovës për pacientët me koronavirusin po vjen duke u vështirësuar dhe shumë spitale kanë ngre alarmin për shkak të mungesës së oksigjenit.
Qytetarë të shumtë kanë raportuar se po detyrohen të blejnë oksigjen nëpër operatorë privatë të palicencuar, për të afërmit e tyre. Por, ajo që është alarmante është se nëpër këta operatorë privatë të cilët janë të autorizuar për të shitur vetëm oksigjen industrial, po furnizohen edhe spitalet e shtetit.
IndeksOnline, ka bërë një hulumtim dy ditë me radhë, duke realizuar disa video, në të cilat shihen ambulancat e Spitalit të Prizrenit, duke u ngarkuar me bombola oksigjeni te operatori Shala-GT në fshatin Shirokë të Suharekës, i cili nuk është i licencuar për të shitur oksigjen mjekësor.
Gjithashtu ekipi i IndeksOnlinet, ka përcjell gjithë rrugëtimin që kanë bërë këto ambulanca nga pompa e derivateve e deri në hyrje të Spitalit të Prizrenit.
IndeksOnline, ka kontaktuar drejtorin e Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj për ta pyetur lidhur me rastin, por ai ka mohuar se janë duke u furnizuar me oksigjen nga Shala-GT.
“Jo, jo ne nuk furnizohemi nga Shala-GT. Ne furnizohemi vetëm nga operatori i kontraktuar dhe i licencuar nga SHSKUK-ja. Ne si spital e kemi rezervuarin me kapacitet prej 10 tonësh, është oksigjen i lëngshëm dhe nuk përdorim bombola fare. E kemi sistemin e oksigjenimit qendror nëpër dhoma”, thot Avdaj.
Ndërsa i pyetur për furnizimin e ambulancave të Spitalit të Prizrenit me oksigjen tek operatori Shala-GT, ai është përgjigjur: “Unë nuk jam në dijeni për këtë. Nuk kam koment. Mund t’ia drejtoheni spitalit në pyetje me shkrim dhe spitali ju kthen përgjigje”.
Ekipi i IndeksOnline, ka kontaktuar nëpërmjet telefonit edhe zëvendësdrejtorin e Spitalit të Prizrenit, Ali Hoti. Mirëpo edhe ai ka thënë se nuk ka njohuri për këtë gjë dhe nuk mund të komentojë më tej.

Ndërkohë IndeksOnline ka kontaktuar pronarin e kompanisë Shala-GT nga Suhareka, për ta pyetur se pse po furnizohen ambulancat e spitalit te kompania e tij?
“Po çka të them unë. Ata kanë mbet keq…hajt dëgjohemi më vonë….” dhe e ka ndalur telefonin.
Përpjekjet e IndeksOnline për të marrë një deklaratë nga Shala-GT kanë vazhduar.
Njëri nga pronarët e kësaj kompanie është pyetur se a shesin oksigjen mjekësor, cila është gjendja me furnizim dhe se a kanë licencë për të shitur oksigjen mjekësor.
“Tmerr është situata. Ka shumë kërkesa dhe po mundohemi t’i furnizojmë ngapak spitalet”.
Ai nëpërmjet telefonit ka thënë se nuk kanë licencë, mirëpo janë të autorizuar nga kompania “Medical Group” që sjell oksigjenin mjekësor këtu te ne dhe ne pastaj e shpërndajmë nëpër spitale.
Ndërkohë, IndeksOnline ka kontaktuar edhe kompaninë e licencuar për shpërndarjen dhe shitjen e oksigjenit mjekësor “Medical Group” për ta pyetur se a e kanë autorizuar ndonjë kompani tjetër për shitjen e oksigjenit?
Një zyrtar i saj nëpërmjet telefonit i ka mohuar të gjitha pretendimet e kompanisë Shala-GT.
“Jo, jo kjo nuk është e vërtetë. Ne nuk e kemi autorizuar dhe nuk kemi nënkontraktorë për shitjen e oksigjenit. Ne jemi të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për furnizimin me oksigjen në të gjitha spitalet nëpër Kosovë dhe nuk kemi përfaqësues tjetër”, thotë ndër të tjera një zyrtar i “Medical Group”-it me telefon.

Ndërkohë edhe të mërkurën, IndeksOnline ka siguruar video dhe fotografi, duke u furnizuar me bombola oksigjeni disa ambulanca me tabela 07, të rajonit të Gjakovës në kompaninë Shala-GT në Shirokë të Suharekës. Sipas informacioneve të siguruara, këto ambulanca janë nisur në drejtim të Malishevës.
Për këtë është kontaktuar drejtori i Shëndetësisë i Malishevës, Liridon Hoti, i cili ka pohuar se QKMF-ja në Malishevë furnizohet nga kompania Shala-GT në Suharekë dhe kanë kontratë për furnizim pasi që kjo kompani është e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Pas një verifikimi është kuptuar se kompania Shala-GT nuk ka licencë për të shitur dhe shpërndarë oksigjen mjekësor.
Hoti është pyetur më vonë për detaje në lidhje me furnizimin me oksigjen dhe ka mohuar se autoambulanca e furnizuar me gaz i përket QKMF-së në Malishevë. Ai nuk ka kthyer përgjigje as edhe kur është pyetur me SMS se ku furnizohen me oksigjen mjekësor./IndeksOnline/