11:12 / E Mërkurë, 25 Nëntor 2020 / Blerina Racaj

Skandaloze: Zyrtari i MTI-së dyshohet se keqpërdori pagesën e licensave, u kërkon ryshfet kompanive

Një zyrtar i licencave në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dyshohet se ka keqpërdorur pagesën e licencave prej 500 eurosh, të disa kompanive private.

IndeksOnline mëson se bëhet fjalë për zyrtarin Fidan Kadriu, i cili ka marrë ryshfet para (shumë të hollash, që nuk dihet), duke mos i transferuar ato në buxhetin e shtetit.

Po të njëjtat burime, njoftojnë se ai ka pranuar këtë veprim, duke pohuar me email zyrtar se kishte marrë të hollat.

Ai ka arsyetar se ka pasur obligime financiare.

IndeksOnline ka kontaktuar edhe ministrin e këtij dikasteri, Vesel Krasniqi, por që nuk ka pranuar të jepte detaje lidhur me rastin në fjalë.

“Nuk e di çka të them më shumë, lënda është procesu. Ndoshta këtu nuk ka kurgja, ta shohim. I keni marrë përgjigjet”, ka thënë ai shkurt për IndeksOnlinen.

I pyetur se për çfarë shumë bëhet fjalë, ai është përgjigjur: “Nuk e di, jo nuk e di, ta shohim të presim”.

“Lënda është procesuar nga MTI-ja në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit, në Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MTI-së për IndeksOnline.

IndeksOnline, ka pyetur nëse zyrtari Kadriu vazhdon të jetë pjesë e MTI-së, apo është suspenduar, mirëpo nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

“Për të mos e penguar procesin e hetimeve të organeve kompetente, ju kërkojmë falje por është e pamundur t’ju japim përgjigje/informata të mëtutjeshme”, thuhet në përgjigjen e MTI-së. /IndeksOnline/