75 Mall Live Search
10:56 / E Martë, 25 Nëntor 2025 / P M

“Skema e madhe e bixhozit, 13 të akuzuarit dalin para drejtësisë, eksperti financiar zbulon parregullsitë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj 13 të akuzuarve në rastin e njohur për “aparatet e bixhozit”, ku po dëshmon eksperti financiar, Naser Rusinovci.

Gjatë dëshmisë së tij, Rusinovci tha se nuk ka gjetur asnjë dokument që sqaron statusin e “deposë në menaxhim doganor”: “Askund në shkresa nuk e kam gjetur, as në procesverbale, se çka është depoja në menaxhim doganor. Në atë depo bizneset kanë qasje me deponu dhe me hekë mall. Depoja është e mbyllur nga autoritetet e doganës, hapet vetëm me kërkesë drejtuar autoritetit doganor,” deklaroi ai.

Eksperti shtoi se ka hasur mospërputhje të mëdha në të dhënat për kohën e operimit të aparateve të bixhozit. “Jam mundu me gjetë fillimin, me bazë të çka është caktuar koha e operimit të makinave.

Nga licensa ishte një datë, ndërsa zyrtarët tatimorë të ATK-së më thanë se koha merret nga kontrolla e fundit. Asnjëra nuk ishte e qëndrueshme, sepse licensa e punës nuk përputhej, ashtu siç nuk përputhej koha e kontrollës,” u shpreh ai. Sipas Rusinovcit, rezultatet tregonin qartë se të dhënat ishin të paqëndrueshme:

“Një aparat që kishte operu vetëm 500 euro nuk është e mundur të jetë për 17 muaj. Këtë e kam bërë në mënyrë transparente,” potencoi eksperti. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi, Istref Veliqi, Blerim Imeri, Flakron Maqani, Xhavit Krasniqi dhe Bylbyl Hebibi akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, kontrabandim të mallrave, shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave.

Skender Fetaj dhe Habil Krasniqi akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave. Nexhat Ejupi dhe Kreshnik Myrtollari akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, kontrabandim të mallrave dhe shmangie nga tatimi.

Armend Danqeli akuzohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm si dhe shmangie nga tatimi, ndërsa Dodë Ricaj akuzohet për shmangie nga tatimi. Ndërkohë, dy të akuzuar të tjerë, Edmond Jakupi dhe Tahir Bërbatovci, pasi kanë pranuar fajësinë më 24 maj 2021, janë dënuar me 2 vite burgim me kusht dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

“Gjatë punës time kam konstatuar se autoriteti i ATK-së nuk ka shfaqur aq interesim për bashkëpunim me mua, sepse ka shumë shkelje ligjore, sidomos me lojërat e fatit. Ligji e precizon shumë qartë se cilët aparate mund të futen në Kosovë dhe se ato i nënshtrohen një kontrolli teknik një herë në vit. Këto nuk janë respektuar. Janë futur aparate të vjetra, madje edhe mbi 10 vite, me gjendje të operimit me vlera të mëdha në numëratore. Autoritetet tona, as dogana e as ATK-ja, nuk kanë mbajtur një evidencë të gjendjes fillestare, prandaj ka qenë e vështirë të dihet se në çfarë gjendjeje ka hyrë aparati në Kosovë.”, ka thënë tutje eksperti financiar.