75 Mall Live Search
09:10 / E Premte, 27 Mars 2020 / indeksADMonline

Skenari drejt qeverisë së re

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas votimit të mocionit të mosbesimit kundër Qeverisë Kurti, me 2/3 e deputetëve të Kosovës, ka paralajmëruar dje se shumë shpejtë do të nis konsultimet me liderët e partive parlamentare për t’i parë mundësitë e krijimit të qeverisë së re të stabilitetit, unitetit dhe gjithëpërfshirjes.

“Pas rënies së qeverisë, si president i vendit, pa humbur kohë do të filloj konsultimet me liderët e të gjitha partive parlamentare, për të shikuar mundësitë e krijimit të qeverisë së re të stabilitetit, unitetit dhe gjithëpërfshirjes. Në çdo hap timin, si president i vendit, do ta respektoj në plotni Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nenti 95 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Pika 5 ku flet për zgjedhjen e Qeverisë thotë se nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë, raporton IndeksOnline.

Por cili mund të jetë skenari. Njohësit e kushtetutës kanë thënë se nëse rrëzohet qeveria, presidenti ia kërkon Lëvizjes Vetëvendosje, si parti që ka dalë e para në zgjedhje, emrin e kandidatit për kryeministër brenda 15 ditësh.

E nëse VV nuk e ka kandidatin tjetër, atëherë brenda 10 ditësh presidenti duhet ta gjejë një kandidat të tretë.

Kandidati i tretë mund të caktohet në bashkëpunim me partitë, dhe ai kandidat duhet të këtë votat në Kuvend, së paku 61./IndeksOnline/