75 Mall Live Search
19:06 / E Martë, 24 Shtator 2019 / indeksADMonline

Skender Reçica: Do të angazhohem për përmirësimin e mirëqenies sociale

Skender Reçica, kandidat i Nismës për deputet, pohoi se qeveria e ardhshme nuk do të ndërtohet pa Nismën.

Reçica në Magazina Zgjedhore tha se do të vazhdojnë projektet për përmirësimin e mirëqenies sociale në mandatin e radhës.

“Angazhimi im dhe përgjegjësitë e mia që kam ushtruar për gati dy vjet, si drejtues i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë pasur për qëllim përmirësimin e gjendjes sociale të qytetarëve të Kosovës”.

“Kjo ka qenë edhe një shtysë që të merrem me politikë dhe të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e mirëqenies sociale. E kam mirëpritur thirrjen për të kandiduar si deputet dhe do të përpiqem maksimalisht që të përçoj mesazhin e socialdemokracisë që është edhe fryma e Nismës”.

“Proceset që i kemi nisur si politike ashtu edhe programore si Nisma, uroj dhe besoj se do t’i vazhdojmë pas 6 tetorit”.

Reçica ka përmendur Ligjin e Punës, draftligjin për lehonat si dhe disa koncept dokumente dhe vendime për marrëdhëniet e punës, asistencën sociale dhe pensionet si të arriturat gjatë mandatit të kaluar qeverisës, e që do të vazhdojnë të implementohen në mandatin e ri.

Ai gjithashtu tha se Nisma po vazhdon të rritet.

“Ajo që vërehet është një rritje e mbështetjes për politikat programore gjë që kanë bërë që qytetarët të besojnë më shumë në Nismën”.

“Mund të konfirmoj se Nisma tashmë është e dyfishuar në terren, dhe këtë nuk po e thonë zyrtarë të Nismës – këtë e thotë qytetari, përkrahja e qytetarëve”.