75 Mall Live Search
19:03 / E Martë, 04 Nëntor 2025 / KV

Skender Reçica: Kosova jashtë tavolinës së zgjerimit, kur politika e brendshme pengon integrimin evropian

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka reaguar pas samitit të zgjerimit të Bashkimit Evropian të mbajtur sot në Bruksel, ku Kosova nuk ishte e pranishme, duke e cilësuar këtë mungesë si pasojë të një politike të brendshme të përçarë dhe pa vizion.

Reçica ka theksuar se në kohën kur Evropa po hap dyert për vendet e rajonit, Kosova po vetizolohet për shkak të bllokadave politike dhe mungesës së një qeverie funksionale. Ai ka theksuar se kjo situatë nuk është vetëm çështje formale, por shenjë e një krize të thellë të besueshmërisë politike dhe diplomatike.

“Në këtë tryezë mungoi jo vetëm një shtet, por edhe një zë që duhej të përfaqësonte qytetarët e tij”, ka deklaruar Reçica, duke theksuar se kriza aktuale nuk është krizë ligji, por krizë lidershipi.

Në Raportin e Progresit 2025, Komisioni Evropian ka theksuar se “Kosova është përballur me ngadalësim serioz në përgatitjet për anëtarësim për shkak të bllokadës politike”, ndërsa Reçica ka shtuar se kjo është pasojë e “paaftësisë për të formuar institucione stabile që punojnë për interesin e qytetarëve”.

Ai ka theksuar se integrimi evropian nuk matet me fjalime, por me rezultate, dhe se qeverisja aktuale “ka ngritur mure mosbesimi në vend që të ndërtojë ura bashkëpunimi me partnerët evropianë”.

Sipas tij, vendet e tjera të rajonit po përfitojnë nga procesi i zgjerimit, ndërsa Kosova “po perceptohet si hallka më e dobët e Ballkanit”, për shkak se politikanët “janë më të zënë me njëri-tjetrin sesa me Evropën”.

“Rruga drejt Evropës nuk kalon përmes fjalimeve patriotike, por përmes reformave të guximshme dhe diplomacisë së matur”, ka përfunduar Reçica, duke paralajmëruar se Kosova rrezikon të mbetet jo vetëm jashtë samiteve të BE-së, por edhe jashtë historisë së re evropiane, nëse mungon serioziteti dhe përkushtimi për reforma të thella institucionale.