11:53 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Skenderaj përfitues i projektit “Rindërtimi i zonave Kadastrale”, përfitojnë këto fshatra

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe drejtoresha për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Sandra Falziu, kanë pritur në takim Drejtorin Ekzekutiv të Agjencionit Kadastral të Kosovës, Avni Ahmetin, me bashkëpunëtorët e tij, ku është bërë e ditur se Komuna e Skenderajt është përfituese e projektit “Rindërtimi i zonave kadastrale”, i financuar nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Ky projekt që është shumë i rëndësishëm për qytetarët e komunës së Skënderajt, ka të bëjë me rindërtimin e zonave kadastrale fillimisht në katër fshatra; Çirez, Baks, Dashec dhe Kostërc, ku qytetarët e këtyre fshatrave do të kenë mundësi të bëjnë identifikim, ndarje apo bashkim të parcelave ekzistuese të pronës krejtësisht falas.

Kryetari Jashari dhe Drejtori Ekzekutiv i AKK-së u pajtuan që në javën e parë të muajit dhjetor të fillojnë takimet informuese me qytetarë, për t’i njoftuar me përfitimet me realizimin e këtij projekti, por para se të nis ky proces, do të zhvillohet një fushatë informuese në gjithë komunën e Skenderajt, për rëndësinë e projektit të rindërtimit të zonave kadastrale.

Ndryshe, rindërtimi i zonave kadastrale, në rrethana tjera është i kushtueshëm, por me anë të këtij projekti ky shërbim bëhet pa pasur nevojë të paguhet./Indeksonline/