75 Mall Live Search
21:19 / E Enjte, 28 Mars 2019 / indeksADMonline

Skenderaj shkruan historinë, për herë të parë fiton Kupën e Kosovës në volejboll

Volejbollistet e Skenderajt janë fituese të Kupës së Kosovës, sukses ky që u arrit për herë të parë në historinë e klubit.

Skenderaj në finale shënoi fitore me rezultat 3:1 (25:21, 22:25, 25:21 dhe 25:23) ndaj skuadrës kryeqytetase M-Technologie.

Trajneri i skuadrës drenicase ,Ylli Kadriu është shprehur i kënaqur me këtë sukses. “Ky sukses ka ardhur në momentin më të duhur. Kemi qenë të fokusuar në garën për Kupë dhe në fund ia dolëm. Është një sukses që u arrit pas një pune të madhe, me shumë mund e sakrificë, duke ditur edhe kushtet në të cilat punojmë. I falënderojmë edhe tifozët tanë që na kanë përkrahur shumë dhe sado pak i kemi shpërblyer me Kupën që e fituam”, është shprehur Kadriu pas përfundimit të ndeshjes, e cila u zhvillua në Palestrën “1 Tetori” ku interesimi i dashamirëve të volejbollit ishte mjaft i madh.

Kapitenes së Skenderajt, Zyla Kadriut, Kupën ia dorëzoi kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Abedin Ibrahimi.

Sa i përket lojës, ajo gjatë gjithë kohës u karakterizua me rivalitet të madh, por që Skenderaj ishte skuadër më e mirë dhe me meritë iu gëzua fitores.