08:03 / E Mërkurë, 27 Janar 2021 / OSH

Skënderaj: Telat e energjisë elektrike ia “bllokojnë” Golf 2-shin qytetarit

Në mëngjesin e së mërkures një qytetar në komunën e Skënderajt nuk mundi të shkonte në punë me veturën e tij.

Kjo pasiqë telat e energjisë elektrike ia kishin “bllokuar” atë, shkruan IndeksOnline.

Në fshatin Rezallë të komunës së Skënderajt shtyllat elektrike që ishin rrëzuar në tokë kishin uzurpuar edhe një veturë të tipit golf 2.

Përveç kësaj, sipas lexuesit familjarët e 100 shtëpive në këtë fshat janë të rrezikuar nga shtyllat e energjisë elektrike që janë pranë rrugës.

Një lexues për IndeksOnline ka treguar se janë duke u përballur me reduktime të ashpërta të energjisë elektrike, ku si pasojë po përballen edhe me mungesë të ujit të pijshëm.

Sipas tij, këtë problem kanë edhe banorët e fshatrave Morinë,Likoc,Plluzhinë, Tice,Abri e shumë fshatra tjera.

Ndërkohë, kujtojmë se mbrëmë kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar qytetarët se shkak i ndërprerjes së energjisë janë prishjet në rrjet si pasojë e reshjeve të borës që kanë rënë dhe rrjetit të vjetër të shpërndarjes së energjisë elektrike.

“Pas angazhimit të panderprerë të ekipit të KEDS-it është arritur që në 70% të fshatrave të evitohen prishjet kurse në pjesët tjera po punohet që sa më shpejtë të rikthehet energjia elektrike”, tha ai./IndeksOnline/