Skenë filmi në Prishtinë/ Dileri i drogës e braktis motoçikletën dhe fshihet në park për të mos rënë në duar të policisë

Policia e Kosovës ka ndaluar një motoçikletë në Prishtinë brenda së cilës ka gjetur substanca narkotike të llojit marihuanë.
Ngasësi i saj ka arritur t’i ikte policisë, duke u futur në parkun e qytetit në Prishtinë dhe gjatë ikjes ka hedhur edhe një qese tjetër me drogë, transmeton IndeksOnline.
Për rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës e cila ka thënë se e gjithë ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë.
“Raportohet se gjatë tentimit për të ndalur një motoçikletë që drejtohej nga një i dyshuar mashkull, i njëjti ka lëne motoçikletën dhe këmbë është larguar në drejtim të parkut të qytetit, dhe gjatë ikjes ka hedhur një qese me substancë të dyshuar. Njësiti policor ka gjetur qesen me 43.3 gram substance narkotike e llojit marihuanë, ndërsa gjatë kontrollimit të motoçikletës janë gjetur dhe konfiskuar edhe 91.7 gram substancë narkotike e llojit marihuanë dhe një maskë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar policinë të hapet rasti për posedim të subtsncave narkotike sipas Kodit penal të Kosovës./IndeksOnline/