22:53 / E Hënë, 06 Gusht 2018 / indeksADMonline

Skifteri robotik që mbron aeroportet nga zogjtë

Zogjtë dhe aeroplanët ndajnë qiellin, kështu që është e vështirë të shmangen përplasjet mes tyre. Autoritetet e aeroporteve përpiqen t’i kufizojnë përplasjet sepse goditjet e shpendëve shkaktojnë dëme të kushtueshme për motorët e avionëve dhe mund të çojnë në rrëzimin e tyre. Disa aeroporte po punësojnë qen të trajnuar, të tjerët po përdorin zhurma të forta për t’i frikësuar zogjtë. Një kompani në Holandë thotë se droni i tyre robotik, i quajtur Robird është shumë më efikas.

Qentë dhe zhurmat e forta mund të jenë të efektshme ndaj zogjve të vegjël por ata nuk i frikëson asgjë më shumë se sa skifteri.

Nuk ka rëndësi nëse skifteri është i vërtetë apo robot, për aq kohë sa ai lëviz krahet gjatë fluturimit.

“Nëse një zog grabitqar fluturon mbi një zonë pa lëvizur krahët në mënyrë aktive, ky është një sinjal për zogjtë e vegjël se ai nuk është duke bërë gjueti aktive por thjeshtë është në vëzhgim. Në momentin kur zogu grabitqar fillon të rrahë krahët, atëherë zogjtë e vegjël e ndjejnë rrezikun dhe fillojnë të largohen nga zona”, thotë Wessel Straatman, inxhinier i kompanisë Clear Flight Solutions.

Projektimi i një krahu mekanik të lakueshëm me aftësi për të bërë lëvizje të ngjashme me ato të krahëve të një shpendi është një detyrë e vështirë.

“Ashtu si me zogjtë e vërtetë, krahët e këtij mjeti robotik, megjithëse duken të ngurtë, janë në të vërtetë fleksibël dhe mund të lëvizin poshtë e lartë për të mundësuar manovrimet në ajër”, thotë inxhinieri Wessel Straatman.

Trupi i Robird është shtypur me printer tre dimensional, 3D me material nga fibra qelqi dhe përbërës najloni, që mund t’i përballojnë uljeve të forta dhe janë projektuar në një model që i ngjan pendës natyrale.

Për momentin Robird fluturon me telekomandë, por projektuesit e tij po punojnë në krijimin e një algoritmi që mund ta mbajë atë në një zonë të paracaktuar fluturimi, për shembull përgjatë perimetrit të një aeroporti.

Skifteri Robird tashmë po mban nën kontroll me sukses zogjtë rreth disa disa aeroporteve dhe fushave të mbeturinave.

Modeli tjetër i Robird, do të jetë i ngjashëm me atë të shqiponjës së Amerikës së Veriut, e aftë të frikësojë zogj më të mëdhenj.