Skocia, vendi me më shumë vdekje nga droga në Europë

Skocia pritet të mbetet për të shtatin vit radhazi vendi me numrin më të lartë të vdekjeve nga droga në Europë, sipas të dhënave zyrtare që pritet të publikohen së shpejti.
Vetëm në vitin 2023, janë regjistruar 1 mijë e 172 vdekje nga abuzimi me substanca, duke e çuar në mbi 10 mijë numrin e viktimave gjatë një dekade. Megjithëse pritet një rënie e lehtë në shifrat e vitit 2024, ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të jetë vetëm një ndërprerje e përkohshme, jo një përmirësim i qëndrueshëm.
Kriza e drogës në Skoci ka rrënjë të thella në ndryshimet ekonomike e sociale që ndodhën pas mbylljes së industrive tradicionale si kantierët detarë, minierat dhe fabrikat. Kjo solli papunësi masive, varfëri dhe një ndjenjë të thellë të humbjes së identitetit, veçanërisht tek burrat e klasës punëtore. Izolimi urban dhe mungesa e shërbimeve sociale e përkeqësuan situatën, duke e kthyer varësinë ndaj substancave në një fenomen të përhapur.
Në vitet e fundit, situata është rënduar nga shfaqja e drogave të reja dhe shumë të rrezikshme, të cilat kanë shkaktuar një rritje të ndjeshme të mbidozave fatale. Ekspertët paralajmërojnë se përhapja e këtyre substancave, që janë shumë më të fuqishme se heroina, mund të çojë në një valë të re vdekjesh.
Një tjetër faktor kritik ka qenë shkurtimi i financimeve për shërbimet e varësisë në vitin 2015, i cili ka lënë boshllëqe të mëdha në ofrimin e trajtimeve dhe mbështetjes për personat në nevojë. Edhe pse më vonë qeveria skoceze ndërmori një “mision kombëtar” për të luftuar krizën, fondet mbetën të pamjaftueshme dhe fragmentare.
Përballë kësaj krize, debatet për mënyrën më të mirë të trajtimit mbeten të ndara. Shumë ekspertë shëndetësorë mbështesin qasjen e reduktimit të dëmit përmes përdorimit të metadonit, shpërndarjes së gjilpërave të pastra dhe hapjes së qendrave për përdorim të sigurt, si ajo në Glasgow. Ndërkohë, organizatat e rehabilitimit theksojnë nevojën për më shumë investime në shërbime që ndihmojnë personat të dalin nga varësia dhe të rifillojnë jetën.
Kriza e drogës në Skoci është më shumë sesa një çështje shëndetësore është një pasqyrë e problemeve të thella strukturore dhe sociale që prekin komunitetet më të margjinalizuara. Me traumat që përcillen nga një brez në tjetrin dhe me dhjetëra mijëra familje të prekura drejtpërdrejt, situata mbetet një nga emergjencat më të mëdha publike në vend. Nëse nuk merren masa të guximshme dhe gjithëpërfshirëse, ekspertët paralajmërojnë se më e keqja mund të jetë ende përpara.