Skriniar nuk pranon 6 milionë në sezon, do të largohet nga Interi me parametra zero

Milan Skriniar i mbyll përfundimisht derën Interit. Kontrata e sllovakut skadon në fund të këtij sezoni dhe zikaltërit tentuan deri në fund ta bindin lojtarin shtatlartë i cili duket se ka marrë vendimin për t’u larguar nga Milano.
Sipas “Sky Sport Italia”, qëndërmbrojtësi e ka kthyer menjëherë mbrapsht ofertën që Beppe Marotta i bëri dhe tashmë drejtori sportiv i Interit duhet të interesohet minimalisht për një qëndërmbrojtës me peshë pasi llogaritur edhe largimin e mundshëm të De Vrij, Inzaghi mbetet zbuluar në repartin difensiv ku titullari i vetëm është Bastoni.
Zikaltërit bënë një sforcim të madh financiar duke e rritur ndjeshëm ofertën për ta bërë mbrojtësin një nga lojtarët më të paguar në “Pinettina” por mesa duket, Skriniar e ka vendosur të ardhmen e tij që me shumë gjasa do të jetë në Paris ose Barcelonë. 6 milionë + bonuset e arritshme duket se nuk kanë mjaftuar që 27-vjeçari të bindet.