75 Mall Live Search
23:59 / E Hënë, 30 Shtator 2019 / indeksADMonline

Skuadra e Ujkanit ndalet, Parma mposht Torinon

Është mbyllur me rezultatin 3-2 Parma-Torino, ndeshje e vlefshme për javën e gjashtë të Serisë A. Një takim që ka dhuruar gola dhe spektakël, veçanërisht në 45 minutat para, në të cilat nuk ka munguar asgjë.

Ndeshja është zhbllokuar pas dy minutash me një gol të Kulusevski-t, që ka kaluar në avantazh vendasit. Reagimi i miqve ka qenë i menjëhershëm, me Ansaldi-n që ka kthyer barazine në minutën e 12-të. Verdheblutë kanë patur një mundësi të artë për t’u kthyer në avantazh në minutën e 31-të pas penalltisë së akorduar nga arbitri La Penna për një prekje të topit me dorë nga Bremer, i cili është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe ka lënë ekipin e tij më 10 lojtarë.

Te pika e bardhë është paraqitur Gervinho, goditja e të cilit është ndalur nga një pritje e bukur e portierit Sirigu, që i ka dhënë zemër torinezëve, të cilët kanë gjetur golin e avantazhit në minutën e 43-të me një penallti të Belotti-t.

Gjithsesi, festa e skuadrës së Mazzarri-t ka zgjatur pak, me Cornelius që ka mposhtur Sirigun me një gjuajtje të fuqishme brenda zonës së rreptësisë me të majtën në fundin e pjesës së parë.

Pjesa e dytë ka qenë më e qetë dhe kur dukej se takimi do të mbyllej në barazim ka ardhur goli i Inglese-s që i ka dhuruar tri pikët Parma-s.