14:02 / E Martë, 17 Mars 2020 / indeksADMonline

Skuadra e Wuhanit kthehet në Kinë, por futet menjëherë në karantinë

Skuadra e futbollit Wuhan Zall në Kinë, e kaloi periudhën e vështirë të përhapjes së koronavirusit në Spanjë, ku ndodhej për fazë përgatitore dhe mbeti aty për të shmangur çdo mundësi prekjeje nga virusi i rrezikshëm, ndërsa futbollistë e staf patën mundësinë të ndjekin nga shkallët e ‘Santiago Bernabeut” edhe El Classicon mes Realit të Madridit dhe Barcelonës.

Por përhapja me shpejtësi në Europë e Covid-19 dhe qetësimi i situatës në Kinë, bëri që skuadra e Wuhan Zall të kthehej në shtëpi të shtunën, pasi pretendonin se në Wuhan mund të ndiheshin më të sigurt, por drejtuesit e klubit nuk i kishin bërë mirë llogaritë.

Kjo pasi me të zbritur në Kinë, i gjithë stafi i Wuhan, futbollistë e trajnerë, iu nënshtruan një karantine, që do të zgjatë plot 14 ditë dhe vetëm më pas do të mund të lëvizin e t’i rikthehen stërvitjes, nëse do të jetë normalizuar plotësisht situata.