15:19 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

Skuadra kosovare që s’ka shumë emër, por që ka objektiva të mëdha

Klubi basketbollistik, Prizreni e ka nisur me fitore sezonin e ri në Superligën e Kosovës.

Në udhëtim te Lipjani, prizrenasit kanë triumfuar me rezultat, 87-74, duke dëshmuar punën e madhe që është bërë kohëve të fundit. Prizreni ishte mjaft aktiv edhe në afatin kalimtar veror duke u përforcuar maksimalisht për sezonin e ri.

Pas entuziazmit dhe atmosferës së mirë në skuadër, trajneri, Arbnor Rifati mendon se kjo është një vazhdimësi e punës 3-vjeçare që është bërë për tri vite radhazi.

Në një prononcim për IndeksOnline, Rifati ka treguar edhe objektivat e skuadrës së tij për sezonin e ri.

Image may contain: 1 person, sitting

”Nuk mendoj se është entuziazëm, por është një vazhdimësi e një pune që po e bëjmë për tri vite radhazi. Synimi ynë është që të renditemi në gjashtë pozitat e para”, u shpreh fillimisht Rifati.

Prizreni mposhti Lipjanin në javën hapëse, ndërsa, Rifati thotë se para ndeshjes ishte i bindur për fitore: ”Neve në asnjë minut nuk na ishte rrezikuar fitorja, kishim luksim që t’i inkuadronim të gjithë lojtarët”.

”Madje, përfshirë edhe lojtarin më të ri në Superligë, ndoshta 15-vjeçarin, Leorit Morina. Lojtarët kanë pasur paraqitje të kënaqshme, por në vazhdim duhet të përmirësohemi në shumë reparte”, vazhdoi trajneri i njohur kosovar.

Në ndeshjen e ardhshme ndaj Boreas, Rifati thotë se skuadra e tij do të luajë për fitore: ”Ndaj Boreas do të hyjmë për fitore dhe do të shfaqim lojë të bukur në promovim të skuadrës me ndeshjen e parë zyrtare në Superligë si vendas”.

”Pika jonë e fortë është loja nën trapez dhe efikasisteti i lojtarëve nga vija 6.75”.

Prizreni ishte treguar mjaft aktiv edhe në afatin kalimtar duke përforcuar disa lojtarë të njohur, dhe Rifati i vlerëson të gjithë mjaft shumë: ”Të gjitha përforcimet janë në nivel”.

”Asnjëri nuk duhet mbivlerësuar më shumë se tjetrin, por besoj se Urim Zenelaj është kapitali ynë, i cili do të na ndihmojë me përvojën që e ka në basketbollin kosovar”, përfundoi Rifati për IndeksOnline.

Image may contain: 4 people, people smiling, people sitting and indoor