75 Mall Live Search
11:29 / E Enjte, 23 Shkurt 2023 / B O

Skuadra shqiptare nënshkruan me ish-lojtarin e Sampdorias

David Ivan është lojtari më i ri i Dinamos. Ai do të plotësojë një nga vendet që klubi kryeqytetas kishte lënë të lira në listën e federimeve. Palët kanë arritur akordin dhe futbollisti nga Sllovakia ndodhet tashmë në Tiranë, është bashkuar me skuadrën e tij të re dhe ndoshta mund të luajë që në fundjavë ndaj Tomorit.

Bëhet fjalë për një lojtar që sportivisht është rritur te Sampdoria në Itali, te moshat e saj, më pas ka qenë pjesë e Barit dhe Kievos në vendin fqinj, ndërsa që prej vitit 2021 ai është aktivizuar në Bjellorusi me Dinamo Brest.

Te Dinamo e shohin si një përforcim me vlera, një lojtar që ka pasur aktivizim të rregullt kohët e fundit dhe që pritet të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës edhe sezonin e ardhshëm në Superiore, gjithmonë nëse kryeqytetasit ngjiten.

Ivani luan në pozicionin e mesfushorit shkatërrues, por edhe në role të tjera në mesfushë. Drejtuesit blu kanë qenë në kërkim të një mesfushori qendre dhe kanë konkluduar tashmë me sllovakun 27-vjeçar. Ai ka luajtur edhe me kombëtaret e moshave të Sllovakisë, deri tek U-21.