Sllovakia mbyll, më 31 dhjetor Zyrën e saj Ndërlidhëse në Kosovë

Sllovakia, një nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, ka vendosur ta mbyllë Zyrën e saj Ndërlidhëse në Kosovë një çerek shekulli pas hapjes së saj. Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar mbylljen e Zyrës sllovake.
Qeveria e Sllovakisë do ta mbyllë Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, në një hap që largon përpjekjet për njohje të shtetit të Kosovës.
Mbyllja e Zyrës Ndërlidhëse i është konfirmuar Radio Kosovës nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Evropiane e Republikës së Sllovakisë.
“Sipas vendimit të Qeverisë sllovake, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Sllovakisë në Prishtinë do të mbyllet deri më 31 dhjetor 2024, për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit buxhetor”, thuhet në përgjigje të Departamenti të Komunikimit të MPJ-së sllovake.
Vendimi për mbylljen e Zzrës në Prishtinë, është marrë muajin e kaluar pasi kabineti i majtë nacionalist i kryeministrit, Robert Fico, po shtyn përpara një agjendë që riformon institucionet dhe politikën e jashtme sllovake.
Ministria e Jashtme e Kosovës nuk e ka komentuar mbylljen e zyrës në Prishtinë dhe as ndikimin që mund të ketë ky vendimin në raportet midis dy vendeve.
Gëzim Visoka, profesor në Departamentin e Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Dublinit, në Irlandë, thotë se mbyllja e zyrës nuk është shenjë e mirë për aspiratat euroatlantike të Kosovës.
“Mbyllja e Zyrës sllovake në Prishtinë nuk do të duhej të paraqiste një lajm shqetësues”, i ka thënë Visoka, Radio Kosovës .”Por fakti që Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën dhe ka një politikë të jashtme të përafërt me Serbinë rreth Kosovës, rajonit dhe luftës në Ukrainë, mbyllja e zyrës është ë sinjal jo i mirë”.
Visoka ka thënë se mbyllja e zyrës në këtë kohë, mund të lexohet si mosgatishmëri për ta njohur Kosovën. “Kjo të paktën tregon mosgatishmëri që të ndërtojë marrëdhënie pragmatike diplomatike, siç ka bërë Greqia në dekadën e fundit”, ka thënë ai.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, në një takim të premten me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në Beograd deklaroi se qëndrimi i Sllovakisë për mosnjohje të Kosovës mbetet i pandryshueshëm, ngase pavarësia Kosovës shkelë integritetin territorial i Serbisë.
Në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, zyrat ndërlidhëse, reflektojnë marrëdhëniet diplomatike të shteteve, ngase sinjalizojnë pabarazi në raportet bilaterale, janë tipare të praktikave para-diplomatike dhe zakonisht vendosen ne rajone e jo kryeqytete dhe janë dy shkallë nën nivelin e ambasadës dhe misioneve të posaçme diplomatike.
Në vitin 1999 kur Kosova u vendos nën administrim të OKB-së, shumë shtete, përfshirë edhe ato që ishin kundër si Rusia, vendosën në Prishtinë zyrat e tyre ndërlidhëse, dhe pas pavarësisë shumica e atyre që njohën Kosovën u shndërruan në ambasada apo misione diplomatike.