Sllovenia s’ka plane për zvogëlimin e numrit të ushtarëve të saj në Kosovë
Sllovenia aktualisht nuk ka plane për të reduktuar numrin e ushtarëve të saj në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.
Kështu ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Sllovenisë, duke thënë se çdo vendim merret pas një vlerësimi gjithëpërfshirës.
“Çdo vendim lidhur me përshtatjet e mundshme të angazhimit të ardhshëm të Forcave të Armatosura Sllovene në KFOR do të merret pas një vlerësimi gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh nevojat e misionit dhe kapacitetet tona”, thuhet në deklaratën e ministrisë, të cituar nga agjencia sllovene e lajmeve STA.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht 106 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Sllovenisë janë të angazhuar në misionin e KFOR-it në Kosovë.

