75 Mall Live Search
10:42 / E Mërkurë, 29 Prill 2026 / H F

Slobodan Radenkoviq dënohet me 2 vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë për sulmet në Zveçan

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar vendimin ndaj të pandehurit Slobodan Radenkoviq, duke e dënuar me 2 vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë për ngjarjet e 29 majit 2023 në Komunën e Zveçanit, transmeton IndeksOnline.

Radenkoviq ishte akuzuar për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, ku sipas aktakuzës ai kishte marrë pjesë në turmën që përdori dhunë, mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Nga këto sulme u lënduan të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre me plagë të rënda, si edhe zyrtarë policorë që ishin në detyrë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Në seancë, i pandehuri ka pranuar fajësinë dhe ka pranuar dënimin e shqiptuar nga gjykata. Ai u dënua me 2 vjet burgim për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa për veprën “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” iu shqiptua gjobë në vlerë prej 15 mijë eurosh.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, veprimet e tij dhe të grupit kishin rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve dhe kishin shkaktuar dëme materiale, përfshirë djegien e disa automjeteve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave që raportonin nga vendi i ngjarjes.