75 Mall Live Search
12:58 / E Enjte, 08 Janar 2026 / S Z

Smajl Latifi fton qytetarët e Rahovecit të paraqesin kërkesat për vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet

Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka një njoftim të rëndësishëm për qytetarët e komunës që ai udhëheq. Latifi ka thënë se ka filluar regjistrimi dhe vlerësimi i dëmeve nga reshjet e fundit.

Ndërsa u ka bërë ftesë qytetarëve të cilët janë prekur nga përmbytjet të paraqesin kërkesën e tyre te Komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve në administratën komunale të Rahovecit, më së largu deri më 14 janar 2026.

“Pas reshjeve të fundit dhe situatës së krijuar, kam mobilizuar Komisionin komunal për regjistrimin, vlerësimin e dëmeve, si edhe kam formuar ekipe shtesë për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të vlerësimit në terren. Ftoj të gjithë qytetarët që janë prekur nga përmbytjet të paraqesin kërkesën e tyre te Komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve në administratën komunale të Rahovecit, më së largu deri më 14 janar 2026”, ka thënë Latifi.

Latifi ka thënë po ashtu se pas paraqitjes së kërkesës, komisioni komunal do t’ju kontaktojë dhe ekipi përkatës do të dalë në terren për të bërë vlerësimin e dëmeve.

Dokumentet e nevojshme që duhet të dorëzohen:

▪️Kërkesa (t’i bashkëngjiten edhe fotografitë me ngjyra);

▪️Kopja e letërnjoftimit;

▪️Konfirmimi i llogarisë bankare.

Ju falënderoj për bashkëpunimin!