75 Mall Live Search
23:58 / E Premte, 05 Prill 2024 / MSH

S’ndalen replikat, Bajrami e quan Muratin “ministër të dështimeve kapitale”

Pasi ministri i Financave, Hekuran Murati, i quajti “propagandë” deklarimet e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, deputetja e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili i ka replikuar Muratit duke i thënë se “gjuha shkon ku dhëmb dhëmbi”.

Menjëherë pas Kica-Xhelilit ka reaguar edhe bashkëpartiakja e saj, Hykmete Bajrami.

Përmes një postimi në facebook, Bajrami ka thënë se qeverinë “e ka kapur paniku se po i dalin për çdo ditë dështimet në shesh”.

 “Jeni të paaftë, të korruptuar dhe s’mund të fshiheni prapa askujt sepse tanimë të gjithë ju njohin. Dhe po e dimë që po të pengojmë por s’do të ndalemi – Propaganda nuk kalon” ka thënë ajo.

Ky është reagimi i plotë i saj:

Ministri i dështimeve kapitale po e arsyeton korrupsionin qeveritar

Qeverinë e dështimeve, të korrupsionit, të tenderëve njëburimor dhe të tenderëve sekret e ka kapur paniku se po i dalin për çdo ditë dështimet në shesh.

Më së shumti kanë nisur të brengosën ministrat që kanë shënuar rekorde dështimi. Njëri prej tyre është Hekuran Murati, i cili po tenton të mbulojë krimin e korrupsionin me tenderët njëburimor dhe dështimet në investime kapitale.

Në vend të 160 çerdheve e keni ndërtuar një urë. Do të mbaheni mend si Qeveria e “Urës së Staradranit”.

Keni premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike, e do të mbaheni mend që keni ngritur çmimin për ta ndihmuar Martin Berishajn.

Hajde përkraheni Komisionin Hetimor për tenderët njëburimor dhe ta shohin të gjithë krimin e korrupsionin që ka kapluar këtë Qeveri.

Jeni të paaftë, të korruptuar dhe s’mund të fshiheni prapa askujt sepse tanimë të gjithë ju njohin. Dhe po e dimë që po të pengojmë por s’do të ndalemi – Propaganda nuk kalon!