75 Mall Live Search
14:19 / E Shtunë, 01 Qershor 2019 / indeksADMonline

Sokoli, Morina e Zhdrella analizojnë finalen e madhe, Liverpool-Tottenham

Sonte zhvillohet finalja e kompeticionit më të madh evropian në futboll, Liga e Kampionëve. Dy finalistët Liverpool dhe Tottenham pas një sezone të gjatë kanë arritur në fund të rrugës dhe synim e kanë trofeun.

Indeksonline kontaktoi me dy trajnerët kosovar, Bylbyl Sokoli, Arbnor Morina dhe futbollistin e njohur të Llapit, Mentor Zhdrella.

Në opinionet e tyre të gjithë po presin që sonte të jetë ndeshje e hapur dhe pa kalkulime në mbrojtje.

Sipas trajnerit të njohur, Bylbyl Sokoli, Liverpool është më favorit sonte.

“Unë po mendoj që finalja e Ligës së Kampionëve e karakterizon që luajnë dy ekipe të Premier Ligës, që njihen mes vete mirë shumë dhe që nuk kalkulojnë, do të shohim futboll të hapur në të dy anët. E vlerësoj si një ndeshje, ku Liverpool është treguar më bindës por të dy ekipet kanë shkaktuar befasi.”

“Tottenham me Ajaxin e ka rikthy rezultatin në Amsterdam, kurse këta e kanë rikthye në Angli kundër Barcelonës pas një rezultati 3:0 që askush nuk e ka pritur. Por po mendoj që Tottenham dy ndeshje i ka kaluar në minutat e fundit me Manchester Cityn dhe Ajaxin.“

“Kurse Liverpool vetëm Barcelonën, kanë qenë shumë bindës. Por po mendoj që një përparësi të vogël i japi Liverpool-it edhe pse është shumë vështirë ta parashohim fituesin. Por prapë po them që Liverpool ka gjasa më të mëdha. Unë mendoj se do të jetë lojë e hapur, kur është loja e hapur do të ketë gola. Përparësi i japi Liverpool-it.”, tha Sokoli.

Sipas trajnerit të njohur kosovar, Morinës, favoriti absolut në finale nuk ekziston. Ai  përmend dy të metat e skuadrave që mund të shfrytëzohen.

“Krijim i futbollit evropian, është ndeshja që i ka qitë në finale dy ekipe që nuk kanë bërë hezitime, kursim në energjinë e shpenzuar për të arritur deri në finale. Edhe dy ekipe që kanë treguar që munden me lu futboll të hapur çdo herë, domethënë jo me kalkulime për t’u mbrojtur, por gjithmonë duke u munduar për ta shënuar një gol më tepër.”

“Kur janë finalet në pyetje, favorit absolut nuk ka, gjasat sipas meje janë të barabarta, për arsyje se kemi një Tottenham që di ta menaxhoj më mirë euforinë, i cili di të luaj shumë mirë në posedim. Në anën tjetër kemi një Liverpool që luan një futboll shumë të  fuqishëm të shpejtë me një presing të theksuar por në disa momente kalon në eufori.”

“Domethënë gjasa të barabarta me një përparësi të vogël për Liverpool për arsye se treshja e sulmit është shumë më e shpejtë se sa që janë katërshja e mbrojtjes së Tottenham. Kemi me shiku një lojë super të mirë.”, tha Morina

Ndërkohë, futbollisti shumë i suksesshëm, Mentor Zhdrella beson që Liverpool është ekip më cilësor se Tottenham.

“Finalet vështirë parashikohen. Por mendoj që Liverpool do të shpallet kampion. Është ekip më cilësor Sigurisht që do të shohim një spektakël të vërtet.”, tha futbollisti i Llapit.

Në pyetjen se si e parashikon rezultatin përfundimtar Zhdrella pati këtë përgjigje.

“Po vështirë me parashiku, por mendoj që 2 me 1 në të mirë të Liverpool.”, u shprehë ai.

Jo vetëm nga analistët kosovar por edhe nga kritikët më të mëdhenj të futbollit besojnë që sonte do të ketë gola shumë.

Dy ekipet kanë arritur në finale në mënyrë të lavdishme. Liverpool ia riktheu rezultatin 3:0 Barcelonës, ndërsa Spurs arriti që t’ia rikthej rezultatin 2:0 në pjesën e dytë Ajaxit./Indeksonline/