Solidarizimi në njëvjetorin e invazionit, Qeveria ndriçohet me ngjyrat e flamurit të Ukrainës

Sot janë bërë 365 ditë që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë.
Shteti i Kosovës është solidarizuar me popullin ukrainas dhe në të njëjtën kohë ka bërë thirrje për armëpushim të përhershëm dhe liri për Ukrainën, raporton Indeksonline.
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës u organizua ceremonia e pritjes dhe dorëzimi i letrave të falënderimit për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadorë të shteteve mike, të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mysafirë të tjerë.
Presidentja Vjosa Osmani me këtë rast tha se lufta e Ukrainës është luftë për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe të demokracisë kudo në botë.
Ndërkohë, Ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës është ndriçuar me ngjyrat e flamurit ukrainas.

