75 Mall Live Search
20:11 / E Martë, 05 Korrik 2022 / OSH

Sondazhi amerikan: 49 për qind e kosovarëve kundërshtojnë Ballkanin e Hapur, 32 për qind e përkrahin

Sipas rezultateve të publikuara nga sondazhi për Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 në kuadër të projektit të institutit amerikan “Instituti Republikan Ndërkombëtar” (IRI), qytetarët e Kosovës nuk përkrahin iniciativën e Ballkanit të Hapur.

Ndër pesë vendet ku janë bërë anketime (Bosnje, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e veriut dhe Serbi), në pyetjen: “E mbështesni apo jo iniciativën e Ballkanit të Hapur”, vetëm në Kosovë qytetarët kanë rezerva.

Nga rreth 1,500 respodentët që kanë marrë pjesë në anketë, 16% e mbështesin plotësisht Ballkanin e Hapur, 34% e mbështesin deri diku, 36% aspak nuk e mbështesin, 13% aspak nuk e mbështesin.

Nëntë përqind e qytetarëve të anketuar nuk janë përgjigjur apo nuk kanë pasur opinion për këtë temë.

Mirëpo duke marrë për bazë përkatësinë etnike të respodentëve të deklaruar, të dhënat ndryshojnë.Vetëm 14% e qytetarëve shqiptarë të Kosovës e mbështesin plotësisht këtë iniciativë, derisa 37% e qytetarëve serb të Kosovës që kanë marrë pjesë në anketë i japin mbështetje të plotë Ballkanit të Hapur.

26% e shqiptarëve dhe 25 e serbëve të Kosovës e mbështesin deri diku Ballkanin e Hapur.

37% e shqiptarëve aspak nuk e mbështesin Open Balkan, derisa 29% e serbëve të Kosovës aspak nuk ofrojnë mbështetje për iniciativën.

13% e shqiptarëve dhe 4% e serbëve të Kosovës disi nuk e mbështesin Ballkanin e Hapur.

Sondazhi është realizuar në kuadër të qendrës së institutit “Center for Insights in Survey Research” nga Ipsos Stregic Marketing, nga 30 dhjetori e deri me 20 shkurt.

Të dhënat janë mbledhur me metodën e intervistimit të qytetarëve në shtëpitë e tyre.Poashtu në sondazh janë përfshirë të gjitha zonat (urbane/rurale) dhe të gjitha grupet etnike.

Në Kosovë janë intervistuar 1520 respodentë dhe margjina e gabimit mund të jetë deri në 2.9 për qind.