16:45 / E Hënë, 17 Tetor 2022 / Gj. Sh

Sonte ceremonia e ndarjes së çmimeve të Topit të Artë, kush janë favoritet?

Mbrëmjen e sotme më 17 tetor do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve për Topin e Artë.

Ceremonia do të mbahet në ”Teatri du Chatalet” në Paris dhe do të fillojë në orën 20:30, transmeton IndeksOnline.

Në këtë ceremoni do të jepet Topi i Artë për meshkuj dhe femra, si dhe trofeu Lev Yashin, Trofeu Socrates dhe çmime të tjera gjithashtu.

Për herë të parë, Topi i Artë i sivjetshëm dhe çmimet e tjera do të bazohen në arritjet nga një sezon futbolli – fushata 2021/22 – ndërsa më parë ato ishin vendosur në bazë të viteve kalendarike.

Në kategorinë e meshkujve raportohet se favorit për ta fituar Topin e Artë është futbollisti i Real Madridit, Karim Benzema.

Një risi këtë vit është se Lionel Messi nuk është i nominuar, pasi e ka fituar çmimin më shumë se kushdo tjetër në historinë e tij. Është hera e parë që ai nuk është nominuar që nga viti 2006.

Në kategorinë e femrave ky çmim pritet të shkoj te futbollistja e Barcelonës, Alexia Putellas.

Spanjollja ishte fituese e Topit të Artë për femra edhe vitin e kaluar, ndërsa këtë vit rivalet më të mëdha të saj janë Ada Hegerberg dhe Beth Mead.

Gavi dhe Eduardo Camavinga janë dy nga favoritët për trofeun Kopa, i cili i është dhënë lojtarit më të mirë U-21 që nga viti 2018.

Thibaut Courtois është favorit për të fituar trofeun Yashin si portieri më i mirë në botë, pasi ka shkëlqyer për Real Madridin sezonin e kaluar.

Trofeu i Sokratit është i ri dhe do të jepet në shenjë mirënjohjeje për një individ që shihet se ka qenë i përkushtuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse./IndeksOnline/