08:35 / E Mërkurë, 14 Gusht 2019

Sonte thyhet mbretërimi spanjoll, për herë të parë një Superkupë angleze

Sonte me fillim nga ora 21:00 do të zhvillohet ndeshja për Superkupën e Evropës ndërmjet kampionit të Ligës së Kampionëve, Liverpool dhe kampionit të Evropa Ligës, Chelseat.

Pas 5 viteve të mbretërimit të klubeve spanjolle që nga viti 2014 këtë herë nuk ka një ekip spanjoll që do të mund ta vazhdojë këtë rekord, shkruan Indeksonline.

Për herë të parë në histori të kësaj gare do të ketë një Superkupë të Evropës puro angleze.

Liverpool dhe Chelsea do të luajnë ndeshjen në stadiumin Vodafone Park në Stamboll të Turqisë, ku është edhe hera e parë që një event i tillë do të mbahet në ambientet e shtetit turk.

Risi në këtë Superkupë të Evropës është gjithashtu që për herë të parë do të referohet nga një grua.
Francezja Stephanie Frappart do ta ndajë drejtësinë në ndeshje, pasi arriti me sukses ta gjykojë finalen e Kupës së Botës për femra.

Liverpool këtë trofe e ka fituar 3 herë në histori në vitet 1977, 2001 dhe 2005, ndërsa Chelsea e ka fituar një herë në vitin 1998.

Në histori këtë trofe më së shumti e kanë fituar Barcelona dhe Milan me nga 5 sosh./Indeksonline/