Sorensen: Marrëveshja e Ohrit ka nisur të zbatohet në disa pjesë, është ndërkombëtare, s’ka pikëpyetje
Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen tha gjatë një diskutimi në Forumin e Dubrovnikut të shtunën se Marrëveshja e Ohrit është zotim ndërkombëtar dhe “nuk bëhet fjalë për një tekst traktati”.
Ai tha se për këtë është konsultuar edhe me juristë në Bruksel e New York.
Sorensen tha se “ka disa kërkesa dhe përcaktime të qarta që duhet të plotësohen” , ndërsa shtoi se BE-ja pret që ajo të respektohet.
Zbatimi i saj, tha Sorensen, “ka nisur të zbatohet në disa pjesë.
“Tani, fakti që ajo mund të mos jetë saktësisht ashtu siç e kanë paraqitur disa politikanë, dëshmohet edhe nga fakti se zbatimi ka nisur në disa pjesë, veçanërisht sa i përket çështjes së personave të zhdukur. Por ka edhe çështje të tjera që kanë mbetur të pazbatuara”, tha ai.
Ndërmjetësuesi europian ka përmendur edhe jurisprudencën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila tha se “është shumë e qartë” për vlefshmërinë e kësaj marrëveshjeje.
“Nuk ju nevojitet një nënshkrim që një marrëveshje ndërkombëtare, e arritur mes palëve, të jetë e vlefshme. E vetmja situatë ku kjo mund të ngrejë pikëpyetje është nëse në dhomë janë vetëm dy palë. Por dialogu kishte tre palë në dhomë. Ne ishim aty kur marrëveshja u arrit. Ne e mirëpritëm atë në momentin kur u arrit. Dhe ajo që ka ndodhur më pas – ju thatë se ia bëtë këtë pyetje Miroslavit (Lajçak) – është se ne, në përfundimet e përsëritura të Këshillit, i jemi referuar vazhdimisht kësaj marrëveshjeje. Natyrisht, kur mora detyrën, kjo ishte gjëja e parë që verifikova: cili është statusi i marrëveshjes që ishte arritur”, tha ai.

