75 Mall Live Search
11:48 / E Enjte, 24 Prill 2025 / MSH

Sorensen takohet me Barduanin

Komandanti i misionit të KFOR-it, Enrico Barduani, priti sot në Prishtinë të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Sorensen shkoi për vizitë në kampin “Film City” në kryeqytet, i shoqëruar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Sorensen dhe Barudani shkëmbyen pikëpamjet e tyre për zhvillimet në situatën e sigurisë në mbarë rajonin.

“Komandanti i KFOR-it nënvizon përpjekjet e KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në koordinim të përhershëm”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Gjenerali Barduani theksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e Komunitetit Ndërkombëtar, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në komunikatë.