75 Mall Live Search
23:45 / E Martë, 01 Prill 2025 / Gj. Sh

Sorensen takohet me Bomberger në Hagë, diskutojnë mbi analizat e ADN-së në çështjen e personave të zhdukur

Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me drejtoreshën ekzekutive të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Kathryne Bomberger, në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sorensen e cilësoi takimin si shumë produktiv, duke vlerësuar punën e ICMP-së në analizat më të avancuara të ADN-së.

Ai theksoi rëndësinë e këtyre analizave në procesin e identifikimit të personave të zhdukur dhe gjetjes së zgjidhjeve për familjet që ende presin drejtësi.

“Takim interesant sot me Kat Bomberger në Komisionin për Personat e Zhdukur, në Hagë. Mora një pasqyrë shumë të mirë mbi punën e tyre në analizat më të avancuara të ADN-së, të cilat janë thelbësore për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me personat e zhdukur”, shkroi Sorensen në rrjetin social X.