13:48 / E Mërkurë, 08 Dhjetor 2021 / B O

Sot 16 vite u arrestua Ante Gotovina, pamje nga arrestimi i tij nga nëntë agjentë në pushimet luksoze

Pas shumë vitesh fshehjeje, në këtë ditë, 16 vite më parë, u arrestua në ishujt Kanarie gjenerali Ante Gotovina. Ai u arrestua kur policia spanjolle iu afrua në restorantin e hotelit me katër yje Bitácora në zonën turistike të Playa de Las Americas në ishullin Tenerife.

I paarmatosur dhe me vetëm 12 mijë euro në xhep, Gotovina po shoqërohej nga kroata-australiani Joso Grgic. Arrestimi ka ndodhur rreth orës 21:10, shkruan Indeksonline.

Nëntë agjentë spanjollë hynë në restorant. Ata iu afruan tavolinës ku ishte ulur gjenerali dhe e pyetën nëse ishte Gotovina. Ai u përgjigj me qetësi se po. Duke ia lidhur duart, Gotovina i tha kamerët se një ditë kjo do të ndodhte.

Carla Del Ponte e kishte dhënë me lumturi lajmin për arrestimin e ish-gjeneralit kroat. “Kam një lajm shumë të mirë. Ante Gotovina u arrestua në Spanjë mbrëmë,” tha ajo.

Arrestimi i Gotovinës ishte bërë duke përgjuar bisedën telefonike të bashkëshortes së tij, Dunja Gotovina nga shërbimi sekret, shkruan Indeksonline.

Në nëntor të vitit 2012, Tribunali i Hagës e kishte shpallur të pafajshëm Gotovinën.
Tribunali i OKB-së për krime lufte në ish – Jugosllavi konstatoi se ish – gjeneralët Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç nuk janë fajtorë për veprat për të cilat janë dënuar më parë. Gotovina u dënua në vitin 2011 me 24 vite burg, për krime kundër popullatës serbe gjatë luftës në Kroaci. Ndërsa Markaç u dënua me 18 vjet heqje lirie.

Dy prej gjykatësve të gjykatës së apelit ishin kundër, ndërsa tre për lirimin e dy ish-gjeneralëve kroatë.

Në vendimin përfundimtar thuhet se “operacioni ‘Stuhia’ i vitit 1995”, gjatë së cilit njësitë e ushtrisë kroate rimorrën rajonin e Krajinës, “nuk ishte një bashkim kriminel me qëllim spastrimin e këtij rajoni nga serbët”./Indeksonline/