Sot 26 vjet nga krimi në kafeterinë “Panda” në Pejë, Xhafer Shatri jep detaje për rastin

Xhafer Shatri, ish i burgosuri politik ka zbuluar detaje të reja rreth krimit të kryer me 14 dhjetor të vitit 1998 në kafeterinë “Panda” në Pejë.
Shatri, përmes një postimi në facebook në 26 vjetorin e kësaj masakre bëri të ditur se rreth orës 20:15 “dy pjesëtarë të Njësisë « Beretat e kuqe» ( siç del nga burime të besueshme, Lluka Bojoviq dhe Rade Rakonjac), të maskuar hynë në kafeteri dhe me gjakftohtësi absolute vranë 6 të rinj serbë dhe i plagosën 4 të tjerë”, shkruan Indeksonline.
Ai, tha se kriminelët gjuajtën rreth 48 fishekë dhe e përmbytën lokalin në gjakë dhe u larguan, ku sipas tij këtë e bënë në emër të shtetit.
Sipas Shatrit, “po ta kishte Serbia këtë argument në dorë, do ta dridhte kontinentin”.
Postimi i plotë:
“Ishte 14 dhjetori i vitit 1998, ora 20h15, kur dy pjesëtarë të Njësisë « Beretat e kuqe» ( siç del nga burime të besueshme, Lluka Bojoviq dhe Rade Rakonjac), të maskuar hynë në kafeteri dhe me gjakftohtësi absolute vranë 6 të rinj serbë dhe i plagosën 4 të tjerë.
Kriminelët që vranë në emër të shtetit, pasi i zbrazën 48 fishekë dhe e përmbytën lokalin në gjak, u larguan ‘pa therrë në këmbë’.
Krimi menjëherë iu mvesh shqiptarëve. Atë natë bandat serbe thyen gjithandej nëpër Pejë xhamat e bizneseve dhe shtëpive shqiptare.
Më 16 dhjetor, në sheshin kryesor të Pejës u mbajt ceremonia mortore, të cilën e udhëhoqi patriku serb, Pavle. Ai, përmes fjalimit tij diabolik, ampflifikoi deri në kulm urrejtjen etnike e religjioze.
Pas ceremonisë, ku morën pjesë rreth 15’000 serbo-malazez, në mbrëmje, u arrestuan 150 shqiptarë, kryesisht banorë të Lagjës Kapeshnicë.
Pas torturash të tmershme, ku u dalluan inspektorët gjakatarë të UDB-së, Ljubo, Zoran dhe Strikoviq, në burg mbetën 5 veta: Agron Kollçaku, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Beqir Logjaj dhe Vëllaznim Përgjegjaj.
Në vitin 2013, kryetari aktual i Serbisë, A. Vuçiq, asokohe nënkryetar i qeverisë, deklaroi se krimin nuk e kishin kryer shqiptarët.
Prej atëherë e deri sot, përkundër kërkesave e protestave të vazhdueshme të familjarëve të viktimave, Vuçiq ani se kishte premtuar se do ta publikonte dosjen e tmershme nuk e bëri këtë.
Ky është vazhdim i një tradite të kahershme të shtetit serb për të mos i nxjerrë kurrë në sipërfaqe krimet e tij të shëmtuara.
Ky krim i llahtarshëm, për të cilin Kosova nuk kërkoi asnjëherë llogari, është një shëmbull përvlues që dëshmon papërgjegjësinë kolosale të autoriteteve tona.
Po ta kishte Serbia këtë argument në dorë, do ta dridhte kontinentin.
Në mungesë të institucioneve të përgjegjshme, i sygjeroj ndonjë avokati të aftë e me integritet që ta bëjnë atë që nuk e bëri dot shteti ynë as për krime të tjera shumë më të mëdha :
Në emër të atyre që pësuan nga shteti serb, kur ky u përpoq t’ua mveshë shqiptarëve krimin në kafeterinë «Panda», ta përgatisin një dosje të themelshme dhe ta padisin Serbinë në Gjykatën e Strasburgut.
Kjo do të ishte një betejë gjyqësore, të cilën, pa asnjë dyshim, do ta fitonin viktimat e terrorit serb.
Për më tepër, jam krejt i sigurt se Gjykata do ta detyronte Serbinë t’ua paguajë viktimave, madje rrast, dëmshpërblimin përkatës”, ka shkruar Shatri./Indeksonline/