75 Mall Live Search
08:21 / E Diele, 14 Mars 2021 / Blerim

Sot dita D për LDK-në, zgjidhet kryetari i ri i partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sot kuvendin e saj zgjedhor për zgjedhjet e kryetarit të ri të kësaj partie.

Kjo parti ka paraparë që të mbajë tubimin e hotel “Emerald”, ku mbi 300 delegatë të kësaj partie do të marrin pjesë në zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së.

Për mbajtën e këtij tubimi LDK, ka kërkuar leje speciale nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duke i përmbajtur të gjitha  rekomandimeve shëndetësore.

Burime të IndeksOnline kanë bërë të ditur se po ashtu kjo parti ka kërkuar edhe prezencë policore në procesin zgjedhor për kryetar të partisë.

Ky Kuvend po ashtu do të monitorohet nga një ekip i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Lidhur me procesin zgjedhor në këtë parti, sekretari i LDK-së, Arban Abrashi ka theksuar se përveç kandidaturave që janë shpallur deri tani nga katër zyrtarë të partisë, janë të hapur edhe për emra të tjerë sot nëse vlerësojnë delegatët.

Abrashi nuk ka bërë të ditur se në kuadër të këtij Kuvendi se a do të zgjidhet edhe kryesia dhe këshilli drejtues i kësaj partie.

Në garë për të parin e LDK-së delegatët e kësaj partie do të zgjedhin mes Anton Qunit, Lutfi Hazirit, Lumir Abdixhikut dhe Besian Mustafës, të cilët e kanë shpallur kandidaturën e tyre deri tani, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që gjatë ditës së edhe ndonjë kandidatë tjetër të shpallë kandidaturën.

Zgjedhjet në LDK vijnë si reflektim ndaj rezultatit katastrofal që ka pësuar kjo parti në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën me 14 shkurt, ku LDK u rëndit si parti e tretë.

LDK në këto zgjedhje ka marrë rezultatin më të keq që prej se kjo parti është formuar nga ish-lideri i atëhershëm Ibrahim Rugova dhe shumë intelektual të tjerë./IndeksOnline/