75 Mall Live Search
13:44 / E Premte, 05 Qershor 2026 / P M

Sot do të mbyllet përkohësisht një korsi e autostradës “Arbën Xhaferi”

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se sot në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Çiklizmit, do të ketë mbyllje të përkohshme të një korsie të autostradës “Arbën Xhaferi” në hyrje-dalje në Lipjan në drejtim të Hanit të Elezit, deri në hyrjen-daljen në Bibaj.

Sipas njoftimit, koha e kufizimit fillon nga ora 13:00 deri në përfundim të garës e cila mbaron në orën 17:00.

“Gjatë kësaj periudhe, automjetet që qarkullojnë në drejtim të Hanit të Elezit do të orientohen të dalin nga autostrada në hyrje-daljen Lipjan dhe të vazhdojnë qarkullimin përmes rrugës nacionale Prishtinë – Hani i Elezit. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, si dhe rekomandon respektimin e sinjalizimit të përkohshëm dhe udhëzimeve të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.