07:36 / E Hënë, 18 Janar 2021 / C E

Sot fillon gjysmëvjetori i dytë, mësimi nis në shkolla

Më shumë se 345 mijë nxënës të nivelit parauniversitar sot do t’u rikthehen bankave shkollore.

Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor do të fillojë sipas skenarit A dhe varësisht nga gjendja me pandemi, mund të kalojë në skenarin B, mësim i kombinuar ose mësim online, si pjesë e skenarit të tretë C nga MASHT-i.

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, një ditë më uroi nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të procesit mësimor.

Ndërsa, Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) ka bërë me dije se përkrah rifillimin e procesit mësimor, më 18 janar, por kujton se nëse institucionet nuk reflektojnë, atëherë nuk e përjashtojnë grevën e përgjithshme në arsim.

SBASHK-u kërkon paga shtesë për çdo punëtor të arsimit prej 100 eurosh në muaj me arsyetimin se e kanë rrezikuar shëndetin, duke punuar në shkolla gjatë pandemisë me coronavirusin.

Kjo sindikatë po ashtu kërkon kontratë kolektive të përhershme për punëtorët e arsimit, e cila ndër të tjera, do të parashohë tri paga me rastin e pensionimit, nga një pagë jubilare dhe shujta.

Ndryshe, gjysmëvjetori i parë i procesit mësimor përfundoi më herët se sa ishte planifikuar për shkak të gjendjes me coronavirusin në vend, ndërsa pjesa e dytë e procesit mësimor pritet të përfundojë në muajin qershor.