Nis sot normalisht mësimi në Shqipëri pas tërmetit, ministrja Shahini: Ora e parë me një video informuese
Pas pezullimit të mësimit në Tiranë, Durrës dhe Elbasanit, sot procesi mësimor do të vazhdojë normalisht.
Në një konferencë shtypui, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, deklaroi se të martën në orën e parë nxënëve do t’u prezantohet një video informuese përsa u përket tërmeteve.
“Bëj me dije se dita e sotme e pushimit për nxënësit e zonave në fjalë, do të zëvendësohet në të ardhmen me një ditë tjetër. Për datën se kur do të bëhet zëvëndësimi, vendosin zyrat arsimore në vijim”, u shpreh ajo.
Më tej vijoi:
“E deklarove edhe dje, mësimi rifillon nesër me shfaqjen e një videoje informuese të ndërtuar nga “Save the Children” në lidhje me masat që duhen marrë në rast tërmeti. Është video e animuar me disa personazhe fëmijë që kujdesen për veten në rast tërmeti. Katër gjërat kryesore që i mësojmë nga kjo video:
- Gjatë lëkundjeve NUK duhet vrapuar jashtë godinës, por duhet gjetur një vend i sigurt brenda dhomës (p.sh nën tavolinë) për të qëndruar deri sa të kalojë lëkundja;
- Pasi pushon lëkundja, duhet të sigurohemi që jeni mbathur me këpucë që mbulojnë këmbën ( të parandalojmë lëndime në këmbë në rast se ka xhama të thyer);
- Duhet mbuluar koka me jastëk apo libër dhe ngadalë duhet dalë nga ndërtesa – pa vrapuar dhe duke ruajtur qetësinë;
- Në rrugë, nuk duhet të qëndrohet nën dritaret e shtëpive, sepse mund të bjerë dicka nga lart.
“Video informuese do të shpërndahet që në orën e parë të mësimit dhe do të diskutohet në lidhje me këto masa”, u tha ministrja Shahini medieve.