Sot fillon Samiti i Bërdo-Brionit, Osmani përfaqëson Kosovën

Qyteti bregdetar i Durrësit sot pritet të mirëpresë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Iniciativës Bërdo-Brioni, i cili do të fokusohet në perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të marrë pjesë në këtë samit të krerëve të shteteve të rajonit.
Samiti dyditor i Brdo-Brijunit mbahet këtë vit në Shqipëri, në Golem.
Në fokus pritet të jenë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.
Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.
Veç seancës plenare dhe konferencës për shtyp që Presidenti Begaj do të mbajë së bashku me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shtetet bashkëkryesuese të “Brdo-Brijuni-t”, përgjatë punimeve të këtij samiti janë parashikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.
Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre.
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së/Indeksonline/