08:05 / E Shtunë, 15 Qershor 2024 / FR

Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër për ta përfaqësuar Kosovën

Sot do të fillojë Samiti për paqe për Ukrainën, që do të mbahet në Burgenstok të Zvicrës, ku do të marrë pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.

Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.

“Presidentja Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme. Përgjatë qëndrimit në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë botëror”, thuhet në njoftim.

Gati 90 vende dhe organizata do të marrin pjesë në samit, sipas presidentes së Zvicrës, Viola Amherd.

Sipas saj, pjesëmarrësit në samit – rreth gjysma e të cilëve do të jenë udhëheqës shtetesh ose qeverish – do të përpiqen të gjejnë një rrugë për t’i ndalur luftimet.

Pjesëmarrës në samit pritet të jenë presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.