75 Mall Live Search
06:47 / E Diele, 07 Qershor 2026 / MSH1

Sot, Kosova voton!

Të dielën e 7 qershorit, 1 milion e 959 mijë e 962 qytetarë me të drejtë vote kanë mundësinë t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, e që e shënojnë edhe procesin e pestë zgjedhor në periudhë prej më pak se një vit e gjysmë.

Qytetarët e Kosovës kutive të votimit do t’i drejtohen për ta zgjedhur legjislaturën e XI dhe qeverinë e re, ku procesi i votimit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 550 vendvotime.

Në 911 qendra votimi, në 2 mijë e 498 vendvotime do të mundësohet votimi i rregullt, ndërsa në 38 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime do të mundësohet votimi me kusht.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar brenda Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq, në këtë listë nuk janë të përfshirë 132,212 shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit përmes postës apo në përfaqësitë diplomatike.

21 subjekte politike me 902 kandidatë janë në garë për ulëse në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës, prej të cilave 6 janë subjekte shqiptare me 465 kandidatë që garojnë për 100 ulëse, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara. Nga ky numër i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 gra.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar se për administrim të rregullt të procesit zgjedhor, në ditën e zgjedhjeve, KQZ do të funksionalizojë dhomën operative, e cila funksionon me pjesëmarrjen e zhytarëve të KQZ-së, Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës.