08:26 / E Diele, 24 Prill 2022 / MSH

Sot mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Francë

Në Francë sot mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, i cili do të vendosë se kush do të udhëheqë në 5 vitet e ardhshme ekonominë e dytë më të madhe të Evropës.

Dy kandidatët në garë për postin e Kreut të Shtetit janë Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen.

Presidenti aktual Macron cilësohet si pro– evropian kurse përballë tij ka përfaqësuesen e së djathtës ekstreme Le Pen. Sondazhet e fundit tregojnë se Macron është një fitues më i mundshëm i këtyre zgjedhjeve, por me një diferencë shumë më të vogël se në 2017 kur ai mundi Le pen me 66 % të votave.

Dy botë, dy gjuhë, dy metoda. Dy ide ndryshe për demokracinë. Nuk mund të shfaqeshin më të ndryshëm, në debatin e madh në TF1 e France 2, Macron dhe Le Pen. Mes dy liderëve, nuk ishte distanca mes atij që ka qeverisur dhe atij që përpiqet ta zëvendësojë, por diçka më e thellë që shënjon dhe imazhin publik të dy rivalëve.

Macron njeriu i elitës, teknokrati. Le Pen populistja. Gjuha e përdorur nga dy personazhet tregon se etiketat zbulojnë të paktën një pjesë të realitetit. Liderja e Bashkimit Kombëtar vërtet mbivendosi problemet e francezëve, ato që shihen dhe ndihen përditë, sidomso në fshatrat e vendit ku Lë Pen ka dhe mbështetjen më të madhe. Madje ajo u anua pak dhe nga e majta duke përmendur shumë herë parullën marksiste “vlerë – punë”. Ajo u shqetësua më pak jo vetëm për koherencën e politikave të ndryshme mes tyre, por dhe për përputhjen me burimet në dispozicion, me kuadrin kushtetues. Me realitetin.

Presidenti në largim – i konsideruar si fitues nga sondazhet falë dhe pikëve të grumbulluara nga debati me Le Pen – luajti mirë duke theksuar të gjitha kontradiktat në propozimet e rivales së tij; por dhe mungesën e një ideje të caktuar të rezervave për t’u përdorur dhe burimeve nga do merren. Ai bëri një përdorim shumë të studiuar të arsyetimit, me të folurën e tij disa herë abstrakte që e ka larguar nga masat e mëdha, dhe që akuzojnë se ai vetëm “bla, bla, bla, bla”. Më efikas ai rezultoi shumë herë kur akuzoi Le Pen se nuk kishte votuar pro masave që do të kishin shmangur problemet për të cilat rivalja ankohet aktualisht.

Fuqia blerëse; Në një përballje me tone civile, por gjithsesi me sulme reciproke, u trajtuan ë gjitha temat e mëdha të politikës aktuale franceze. Shtatë mes tyre, shënjuan ritmin e mbrëmjes duke nxjerrë në dukje ndryshimet mes dy kandidatëve. Si dhe tema e tetë, më e thella: modeli i demokracisë që propozojnë. Debati nisi me temën e fuqisë blerëse, që Le Pen kërkon ta përmirësojë duke hequr TVSH-në dhe imponimet, por pa saktësuar se cilat “shpenzime të padobishme” ka ndër mend të reduktojë. Frika e atyre të cilët mendojnë se do të ketë një rritje të deficitit francez në rast se Le Pen fiton, u bë dhe më e dukshme. Shumë e lehtë për Macron të përgjigjet: heqja e TVSH-së – një masë shumë regresive – ndihmon më shumë ata më të pasurit, dhe shumë pak të varfrit. Kundër mbrojtjes tarifore të miratuar nga ai dhe që Le Pen kërkojë ta ruajë – dhe pse ka votuar kundër saj.

Në mënyrë analoge: Lë Pen propozon përjashtimin nga kontributet suplementare për sipërmarrjet që do të rrisin me 10% pagat për nëpunësit e tyre, dhe Macron u përpoq të shpërbëjë menjëherë lojën retorike: Është nxitëse, por ju nuk menaxhoni pagat. Nuk dua që ata që na dëgjojnë të mendojnë se nga ju pagat do të rriten me 10%”.

Fushata ka qenë e shkurtër, por zgjedhja për votuesit është e qartë, midis një presidenti pro-evropian dhe një kandidati nacionalist që kërkon të ndalojë shaminë dhe të kufizojë imigracionin.