10:28 / E Enjte, 14 Shtator 2023 / L K

Sot NASA publikon raportin e shumëpritur për UFO-t

Agjencia amerikane e hapësirës NASA do të shpallë sot rezultatet e studimit të shumëpritur mbi objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO). NASA njoftoi vitin e kaluar se po shqyrton provat e të ashtuquajturit dukuri ajrore të paidentifikuara që zëvendësuan termin e mëparshëm “UFO” në terminologjinë zyrtare.

Tema ka magjepsur prej kohësh publikun, por është shmangur nga shkenca kryesore, shkruan Indeksonline.

Një ekip i pavarur prej 16 studiuesish ndau vëzhgimet e tyre paraprake në maj dhe arriti në përfundimin se të dhënat ekzistuese dhe raportet e dëshmitarëve okularë janë të pamjaftueshme për të nxjerrë konkluzione të qëndrueshme, ndërsa bëri thirrje për mbledhje më sistematike të të dhënave me cilësi të lartë.

Më shumë se 800 “ngjarje” janë regjistruar në 27 vjet, nga të cilat dy deri në pesë për qind konsiderohen anomali të mundshme, thanë autorët e raportit në maj.

Qeveria amerikane ka filluar ta marrë më seriozisht çështjen e UFO-ve vitet e fundit, pjesërisht për shkak të shqetësimeve se ato janë të lidhura me spiunazhin e huaj.

Puna e NASA-s, e cila mbështetet në materiale të paklasifikuara, është e ndarë nga hetimi i Pentagonit, megjithëse të dy agjencitë koordinohen në aplikimin e mjeteve dhe metodave shkencore./Indeksonline/