10:42 / E Martë, 18 Qershor 2024 / LB

Sot nënshkruhet marrëveshja për heqjen e vizave nga Izraeli për kosovarët

Këtë të martë do të nënshkruhet marrëveshja për heqjen e vizave nga Izraeli për shtetasit e Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur nga ambasada izraelite në Prishtinë, e ku thuhet se prezentë do jetë edhe ambasadorja Tamar Ziv.

“Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në pritjen e nesërme të organizuar nga Shkëlqesia e Saj znj. Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, me ç’rast do ta shënojmë Ditën e Pavarësisë së Izraelit dhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për shtetasit kosovarë”, thuhet në njoftim.

Më 29 janar të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati njoftuar se Izraeli është pajtuar t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës.

Ky vendim i Izraelit i cili është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës para rreth tri vjetëve, thuhej se do të hynte në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike”, thuhej në komunikatën e presidencës.

Ndryshe, prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Që nga 5 janari, kosovarëve iu mundësua ta vizitojnë edhe Spanjën pa viza.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme.

Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.