75 Mall Live Search
10:49 / E Martë, 15 Tetor 2019 / indeksADMonline

Sot nis punimet Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, ​skepticizëm për pranimin e Kosovës

​Sot në Santiago të Kilit nis punimet Asambleja e Përgjithshme e Interpolit ku për katër ditë do të adresohen çështje të sigurisë.

Përpjekjet kombëtare dhe rajonale në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe krimit kibernetik me mbështetje operacionale nga Interpoli do të adresohen gjatë konferencës katërditore.

Ndërkohë, Kosova pritët sërish të sfidohet për anëtarësim në këtë organizatë. Njohësit e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare u shprehën skeptikë se vendi ynë mund të pranohet edhe këtë herë në këtë organizatë multilaterale policore.

Edhe pse vitin e kaluar Kosova dështoi dhe disa vjet më parë nuk aplikoi, përgatitjet lobuese për këtë vit po konsiderohen se janë bërë pak dhe gabueshëm.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha se momentet më të duhura për lobim, Kosovën e gjetën në zgjedhje të parakohshme. Kjo sipas tij, ka humbur interesimin e institucioneve që të lobonin në mënyrën e duhur dhe në vazhdimësi.

Nga ana tjetër, sipas Ibishit, fushata agresive e Serbisë dhe vendi ku do të mbahet asambleja e Interpolit në Amerikën Jugore, nuk krijojnë një ambient shpresëdhënës për Kosovën.

Ndërkaq, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Artan Murati, tha për KosovaPressin, se Kosova duhej të ishte më e kujdesshme në aplikim, pasi sipas tij, një refuzim potencial do të ndikonte negativisht me raportet me shtetet që janë anëtare dhe votojnë kundër.

Ndërsa fushata lobuese e Serbisë kundër Kosovës nuk është ndalur. Ministri i tyre i brendshëm, por dhe ai i Punëve të Jashtme, thanë se do të bëjnë luftë të ashpër që Kosova të mos jetë pjesë e kësaj organizate policore.

Ndryshe, për t’u pranuar, Kosovës i duhet vota e dy të tretave të shteteve anëtare, apo nga 194 vende, duhet të sigurohen mbi 120 vota.