Nisin sot bisedimet për formimin e institucioneve: Kurti pritet të takohet me Hamzën dhe me Abdixhikun
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, nis sot takimet me liderët e partive parlamentare për diskutimin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Takimi i parë do të zhvillohet me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në orën 09:00 në Kuvendin e Kosovës.
Ftesën e Kurtit e ka pranuar PDK-ja, ndërsa Hamza ka deklaruar se partia e tij do të marrë pjesë në takim me qasje konstruktive, duke theksuar se diskutimet duhet të fokusohen te prioritetet dhe vizioni qeverisës, e jo te ndarja e pozitave.
“Nuk jam kundër takimeve, mirëpo para se me fol për pozitat, është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për të ardhmen”, ka deklaruar Hamza.
Pas takimit me Hamzën, Kurti do të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Takimi LVV-LDK është paraparë të mbahet në orën 18:00, ndërsa Abdixhiku ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit.
Kreu i LDK-së ka bërë të ditur se kjo është hera e parë që dy liderët kanë një komunikim zyrtar pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare dhe se takimi do të zhvillohet në formatin “1+1”.
Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës, Adrian Gjini, ka refuzuar takimin me Kurtin, duke bërë të ditur se qëndrimi i partisë së tij mbetet ai i shprehur, më 26 qershor.
Gjini ka publikuar përgjigjen zyrtare të AAK-së, ku thuhet se partia mbetet e gatshme të kontribuojë për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit, por në bazë të ofertës së saj të paraqitur më herët.
Konsultimet e Kurtit me partitë parlamentare zhvillohen pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve dhe nisjes së afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

